Një ditë pas protestës së opozitës tek Parlamenti dhe dorëzimit të mandateve zyrtarisht, kreu i PD Lulzim Basha është nisur drejt Vjenës.

Në foto duket kryedemokrati i shoqëruar nga djali i ish kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha në aeroportin e Rinasit të cilët udhëtojnë së bashku drejt Vjenës me të njëjtin avion.

Nuk dihet qëllimi i vizitës së Shkëlzen Berishës në Vjenë, ndërsa Lulzim Basha pritet të zhvillojë takime me zyrtarë atje rreth situatës politike në Shqipëri.

Basha pritet të takohet me Presidentin e Asamblesë Parlamentare e OSBE George Tsereteli dhe Sekretarin e Përgjithshëm. Në kryeqytetin austriak ndodhet edhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe Nard Ndoka.

Pasi të zhvillojë takime me asamblenë parlamentare të OSBE-së, Basha më pas do të kthehet bashkë me Mediun dhe Ndokën. Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, sqaroi dje se ndodhet në Vjenë dhe sapo të kthehet në Tiranë, do të firmosë dokumentin për dorëzimin e mandatave njësoj si deputetët e tjerë të opozitës.

“Unë kam dy ditë në Vjenë. Kjo është qesharake. Unë kam bërë një deklaratë si deputetët e tjerë të opozitës. Mandati im është mandati i qytetarëve demokratë. Nuk është vënë ndonjëherë në diskutim ajo çka kërkojnë dhe vendosin qytetarët.

Unë nuk kam mandat. Në momentin e parë që do të jem në Tiranë, do të kryej të gjitha aktet formale për ta bërë. E kam bërë deklaratë publike dhe do e formalizoj. Nuk kam mundësi nga Vjena për ta bërë, sepse ligjërisht nuk do të ishte e qëndrueshme.

Jam këtu për të përfaqësuar zërin e opozitës dhe të qytetarëve dhe sa të kthehem, do të bëj të njëjtin veprim si kolegët e mi. Vendimi im është i koordinuar me z.Basha”, theksoi Mediu.