Kryetari i Partisë Demokratike priti në një takim Raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, eurodeputetin Knut Flekenstein me të cilin ndau shqetësimet e aktualitetit politik dhe te situatës post-zgjedhore në Shqipëri.

Këto zgjedhje, tha Basha, treguan se kauzat tona për dekriminalizimin, kundër drogës, dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme janë kauzat më jetike sot për vendin. Gjatë takimit, Basha vuri në dukje faktin se tashmë janë edhe shtetet anëtare te BE, institucionet e BE, por edhe Europoli, që po evidentojnë me forcë problemin e kultivimit dhe trafiqeve të drogës në Shqipëri dhe rritjen e krimit të organizuar, jo vetëm në Shqipëri, por edhe ne vende te BE.

Ai theksoi se Partia Demokratike ka bërë një luftë të hapur ndaj kanabizimit të Shqipërise për katër vitet e fundit, dhe situata nuk do të ishte e tillë sot, nëse do të kishte patur më shumë vemendje dhe qëndrime të qarta nga institucionet ndërkombëtare. “Fatkeqësisht sot, raporte të tilla kanë nxitur diskutimin e regjimit të vizave për shqiptarët”. Basha theksoi se angazhimi nga ana e qeverisë e eksponentëve të krimit të organizuar, mbështetja e tyre për t’u përfshirë në politikë dhe për të zhvilluar aktivitetin e tyre kriminal si trafikun e drogave, e ka lidhur fatin e qeverisë dhe maxhorancës me këta faktorë dhe jo me fatin e qytetarëve.

“Zgjedhjet e fundit e provuan përsëri këtë gjë, ku përfshirja e krimit të organizuar dhe parave të drogës, prodhoi një mazhorancë fiktive që nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve shqiptarë”. Basha nënvizoi se reforma zgjedhore është hapi i parë për adresimin e disa prej këtyre problemeve, në vecanti përmes votimit dhe numërimit elektronik dhe identifikimit biometrik të zgjedhësve.

“Këto ndryshime janë thelbësore për fatin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe minimizimin e fenomenit të shitblerjes së votes. Po kështu, duhet reformë e sistemit politik në Shqiperi, për të kufizuar dhe kontrolluar pushtetin, duke nisur me një parlament që nuk është thjesht vegël e qeverise, por mbikeqyrës dhe kontrollues i saj”. “Vetëm zgjedhjet e lira mund të rikthejnë besimin dhe shpresën dhe të ndalin eksodin e shqiptarëve që largohen drejt Bashkimit Europian, sepse ju mohohet e drejta për ndryshim përmes votës në vendin e tyre” deklaroi Basha.

Artikulli paraprak“VJESHTË 2017”, BIE NË PRANGA 52 VJEÇARI
Artikulli tjetër“AMBASADORËT E BE-SË KUNDËRSHTOJNË RAMËN PËR PLANIN E HIMARËS”