Në një protestë të nisur në orën 18:00 teksa errësohej, dhe që u përmbyll pas 4 orëve, në 22:00 të darkës, opozita joparlamentare shqiptare në një tubim që degjeneroi në dhunë në tentativa për të sulmuar parlamentin, kërkoi rrëzimin e qeverisë Rama dhe zgjedhje të parakohshme.

Në përmbyllje të protestës në seli, Basha e quajti protestën më të madhe dhe të pashoqe, teksa falenderoi qytetarët. “Me gjithë sfidën e motit, ja dolëm të mbanim protestën më të madhe”, tha Basha.

Në një postim në Twitter, menjëherë teksa kryetari demokrat mbante fjalë, kryeministri Edi Rama u shpreh se protesta nuk ishte “as e denjë po thjesht e turpshme për PD-LSI! Këta humbës të pashërueshëm po rrisin çdo ditë faturën që do u presë Sovrani në 30 qershor”.

Nisi me një tubim prej një orë e gjysmë tek kryeministria, ku pasi lideri demokrat Lulzim Basha mbajti një fjalim, protestuesit menjëherë thyenë kordonin e sigurisë tek kryeministria, por nuk tentuan të sulmojnë godinën. U hodh vetëm bojë ndaj godinës, ndërsa fermerët qëlluan me domate dhe derdhën qumështin.

Protestuesit ishin që aty të dhunshëm, pasi hodhën vazhdimisht kapsollë, shashka dhe tymuese ndaj policisë. Krejt papritur, protestuesit u zhvendosën drejt Parlamentit, aty ku pati sulme të njëpasnjëshme për të goditur institucionin e Kuvendit të Shqipërisë.

Aty policia u detyrua të përdorë disa herë gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën sa herë që ata afroheshin për të sulmuar Kuvendin.

Në mesin e protestuesve pati shumë persona me maska të cilët me flakadanë në duar kanë hedhur tymuese dhe kapsollë ndaj policisë, ku për pasojë mbetën efektivë të plagosur me djegie në fytyrë.

Një tubim që u mbajt në një ditë me reshje shiu, PD-ja u shpërndau protestuesve rreth 1 mijë çadra të njëjta me mbishkrimin “Ik”.

Policia e Shtetit mori masat për mbarëvajtjen e tubimit me kamera sigurie, dronë, agjentë civilë, mbi 1500 efektivë policie, automjete të hedhjes së ujit dhe autoblinda.

Kjo është protesta e tretë të kombëtare ne 2 muaj dhe e nënta, bashkë me protestat tek Parlamenti. Ndërkohë, kryeministri Rama ndodhet në një vizitë zyrtare jashtë vendit.

Artikulli paraprakNDALOHET PESHKIMI NË FIERZE, QËLLIM SHUMIMI I KRAPIT NË LIQEN
Artikulli tjetërDIGJET GJATË NATËS MAKINA E POLICIT