Një ditë pasi hoqi dorë nga mandati i tij bashkë me deputetët e PD, kyedemokrati Lulzim Basha ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore dhe arrestimin e tre politikanëve.

Basha tha se qeveria tranzitore do të mundësojë arrestimin e politikanëve të kapur në vjedhje votash, duke përmendur të parin kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako.

“Dua të sqaroj dhe diçka fare qartë dhe prerë. Çfarë do të thotë qeveri tranzitore? E para dorëheqja e Edi Ramës dhe hetimi i tij dhe qeveria tranzitore detyrë të parë dhe kryesore do të ketë të arrestojë politikanët e kapur në vjedhje votash, Vangjush Dakon.

Është qeveria që ndalon arrestimin e tyre apo jo?! Ne s’jemi në një shtet demokratik. Qeveria duhet të mundësojë që të mos ketë asnjë ndërhyrje politike si ajo që bëri Edi Rama për të mbrojtur Vangjush Dakon. Vangjush Dako duhet të jetë në burg.

Është kapur duke vjedhur vota. Askush nuk mund t’iu shesë më dëngla shqiptarëve. Vangjush Dako duhet të shkojë në burg. Çdo politikan që është kapur duke vjedhur vota duhet të shkojë në burg. Damian Gjiknuri që është kapur duke vjedhur vota me krimin e organizuar me Ymer Lalën në Dibër që në vitin 2016 duhet të shkojë në burg.

Ata që kanë vjedhur votat me Habilajt, me Shullazët duhet të shkojnë në burg. Taulant Balla që ka vjedhur votat me Çelajt e Sanxhaktarët duhet të shkojë në burg përndryshe nuk ka për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme”, deklaroi Basha.

Ai theksoi se në burg duhet t’i çojë drejtësia ‘por ne na duhet një qeveri që nuk e pengon drejtësinë të bëjë detyrën e saj’.

“Kjo është qeveria tranzitore, hapi i parë është dorëheqja e Ramës dhe për këtë nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë negociatë”, tha i prerë Basha.