Shefi i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me fermerë në Kosmaç në Vaun e Dejës.

Banorët në bashkëbisedim me Bashën, kanë listuar të gjithë shqetësimet që hasin në punën e tyre të përditshme në kultivimin e prodhimeve bujqësore.

Kreu i PD-së tha se kjo zonë vuan harresën e qeverisë si në sigurimin e tregut ashtu edhe në lëvrimin e subvencioneve, të cilat sipas tij, kanë qenë premtime por nuk janë mbajtur.

“Keni aplikuar subvencione, sepse kjo qeveria ka pohuar se do të shpërndahen subvencion. Kushtet e favorshme, kultura e punës është e mirë. Prodhimi është i bollshëm. Problemi është se nuk ka ndihmë nga shteti. Aksesi në treg pengohet nga shteti.”, tha Basha.

Fermerët treguan se fshati Kosmaç ka rreth 500 shtëpi, të cilat janë aktive me punë dhe merren me prodhime bujqësore. Sipas tyre, problemi më i madh është mungesa e tregut.

“Skemi ku me shit mallin, e shesim në formë private.Problemi më i madh është sigurimi i tregut. Nuk kemi marrë asnjë subvencion”, shprehen banorët.

Mes tjerash Basha theksoi se taksat e shqiptarëve po gllabërohen nga 10 oligarkë dhe shuma sipas tij arrin në 500 mln euro.

Ai tha se ka patur edhe subvencione, por kjo natyrisht me skema dhe interesa politike. Gjithashtu, Basha tha se vendet e rajonit shpenzojnë miliona euro në ndihmë të bujqësisë, ndërsa shqiptarët rrinë me sytë e drejtuar nga qielli.

“Vlera totale e investimit që ju keni bërë në mijëra dynym në sera kap shifrat 7 milionë dollarë. Është tronditës që në 5 vite nuk keni para asnjë subvencione.

Ne e dimë tashmë dhe ju e dini tashmë, sepse të gjithë shtetet subvencionojnë fermerët. Ku shkojnë këtu lekë, dhe ne si opozitë i kemi diskutuar. Janë 500 milionë euro që i marrin oligarkët.

Maqedonia shpenzohen 150 milionë , Kosova 120 milionë euro, ndërsa shqiptarët rrinë me sytë nga qielli. Si do të konkurrojë speci i Kosmaçit, patëllxhani, si do të konkurrojnë prodhimet e rajonit.”, tha Basha.