Partia Demokratike ka hedhur hapin final drejt bojkotit të zgjedhjeve të 30 qershorit.

Basha mblodhi Kryesinë, e cila doli me 3 vendime të rëndësishme, ndërsa thuhet se Partia Demokratike futet në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për garantimin e standardeve, ndërsa angazhohet për të mos lejuar asnjë palë zgjedhje të tjera.

Lulzim Basha mblodhi ish-grupin parlamentar dhe Kryesinë e Partisë Demokratike, e cila doli me 3 vendime të rëndësishme, duke shprehur qartë qëndrimin se opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit.

“Partia Demokratike e Shqipërisë të regjistrohet në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kriza e rëndë politike në vend, nuk mundëson standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Është provuar se Qeveria e Edi Ramës ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për blerjen e votave”.

Krahas vendimit për të mos u regjistruar në zgjedhje, Partia Demokratike angazhohet për të mos lejuar zgjedhje farsë, por mënyra dhe instrumentat sesi arrihet kjo mbeten të pa qarta.

“Partia Demokratike e Shqipërisë angazhohet në mbrojtje të demokracisë dhe të drejtës së votës së lirë të mos lejojë përveç zgjedhjeve të lira asnjë farsë elektorale; të pamundësojë përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar dhe qytetar, mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga krimi i organizuar dhe paratë e pista që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë”.

Për këto dy qëllime thelbësore, Kryesia e Partisë Demokratike mandatoi kryetarin e Partisë dhe Sekretarin e Përgjithshëm për të negociuar me partitë aleatë e opozitare një marrëveshje që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme përfshirë mandatin dhe detyrat e Qeverisë tranzitore.

Këto vendime të Kryesisë do të diskutohen dhe hidhen në votim edhe në Këshillin Kombëtar, i cili do të mblidhet në orën 17:00.

Artikulli paraprakEDHE KATËR KANDIDATË MARRIN MANDATIN E DEPUTETIT, TRE NË PRITJE
Artikulli tjetërGAZETARËT PA KUFIJ: RËNIE E LIRISË SË MEDIES NË SHQIPËRI DHE NGRITJE NË KOSOVË