Basha pas drekës me Ambasadorët: S’tërhiqemi nga qeveria teknike

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se opozita nuk tërhiqet nga kushti i saj për qeveri teknike që do garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme në 18 qershor. Këtë qëndrim, tha Basha, përfaqësuesit e opozitës ua bënë të qartë Ambasadorëve të vendeve të BE gjatë drekës së punës që zhvilluan sot. Basha: Diskutuam për gjendjen politike në vend dhe bashkë me përfaqësuesit e tjerë opozitarë bëmë të qartë vendimin tonë për të mos u tërhequr nga beteja qytetare dhe popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme deri në realizimin e kushtit të vetëm të opozitës që është një qeveri teknike me vullnet të gjerë politik për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Basha e cilësoi takimin të frytshëm dhe dashamirës. Basha: Bashkëbisedimi ishte shumë i frytshëm, dashamirës, mbështetës për qëllimet europiane dhe europianizuese të qëndresës, të lëvizjes tonë popullore dhe unë, besoj edhe kryetarët e partive të tjera të koalicionit ndahemi dhe nga kjo drekë me shumë optimizëm dhe akoma me më shumë vendosmëri për ti shkuar deri në fund kauzës sonë. Pyetjes lidhur me mungesën e Ambasadores Vlahutin edhe në takimin e sotëm, Basha iu përgjigj me një urim për Ditën e Verës drejtuar gazetarëve dhe medias në terësi. Burimet për Ora News bënë me dije se në takimin e sotëm me opozitën merrni pjesë ambasadorët e Gjermanisë, Hungarisë, Polonisë, Kroacisë, Sllovenisë, Sllovakisë, Holandës e Belgjikës. Kjo është dita e 25 e protestës së opozitës para kryeministrisë ndërsa një ditë më parë Basha pati një tjetër drekë pune me disa nga Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Artikulli paraprakVRASJA E SHQIPTARIT,BIZNESMENI ITALIAN SHPALLET I PAFAJSHËM
Artikulli tjetërDIMËR I ASHPËR, GJENDJE E JASHTËZAKONSHME NË NEW YORK DHE NEW JERSEY