Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u tregua hermetik lidhur me takimin që pati gjatë paradites me zv/ ambasadoren amerikane në Tiranë Leyla Moses Ones.

Lulzim Basha: Nuk bëj asnjëherë komente as mbi deklaratat dhe as takimet periodike që kemi me partnerët strategjikë.

Por nëse do më pyesni për qëndrimin e PD-së, nuk ka asnjë hap pas në luftën kundër krimit të organizuar që ka asgjesuar zgjedhjet dhe institucionet demokratike.

Ka vetëm hapa përpara, kërtë ja kemi borxh Shqipërisë dhe ëndrrës së gjithë shqiptarëve.

Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa, me parlament dhe qeveri të çliruar nga krimi, me institucione që u shërbejnë qytetarëve dhe japin llogari para tyre dhe jo para Niçes, Bajrave, Shullazëve apo ortakëve të tjerë të bandës aktuale që i thotë vetes qeveri.

Teksa kryeministri Edi Rama nga “Porta a Porta” e quajti miku im, Basha thotë se populli ka folur dhe kryeministri është shkaktar i kësaj krizë të shumfishtë në vend.

Lulzim Basha: Populli ka folur edhe dje, do të flasë çdo protestë, do të flasë dhe me 16 mars. Edi Rama bën mirë të dëgjojë zërin e popullit dhe ti hapë rrugë zgjidhjes politike.

Ti zgjidhë duart drejtësisë dhe të lejojë hetimin deri në fund të dosjes “339” dhe dosjes “184”. Natyrisht e di se nuk është në gjendje ta bëjë këtë sepse është pjesë e kësaj dosje.

Ndaj zgjidhja kur të gjitha pushtetet janë të kapura mbetet në dorë të popullit. Populli do të vazhdojë të ketë në dorë fatin e tij derisa të kemi çlirimin e Shqipërisë nga krimi, një parlament dhe qeveri të zgjedhur nga populli dhe jo nga kriminelët.

Kreu demokrat zgjidhjen e krizës politike e sheh pa një dialog mes tij dhe shefit të qeverisë.

Lulzim Basha: Patjetër që po. Dialogu mes meje dhe zotit Rama provon të ishte i dëmshmëm për interesat e Shqipërisë në mënyrën si u keqpërdor nga një njeri që hiqet si kryetari i PS-së

por është reduktuar në një bashkëpunëtor të krimit të organizuar dhe të oligarkëve grabitqarë që dëmtojnë interesat e shqiptarëve, dëmtojnë interesat e socialistëve, dëmtojnë interesat e demokracisë.