Nga Korça ku po zhvillon një takim dy-ditor me takime në këtë qark, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përveç akuzave në drejtim të qeverisë Rama, ka komentuar edhe vendimin e Presidentit Ilir Meta për të mosdekretuar gjeneralin Sandër Lleshi si ministër i Brendshëm.

Basha ka thënë se Meta ka kompetenca që ia njeh kushtetuta. Ai i ka kthyer përgjigje edhe Ramës për SMS-në që ai iu dërgoi dje deputetëve të PS, që të mos komentonin vendimin e Metës.

Presidenti ka kompetencat e tij kushtetuese dhe jam i sigurt që ai do të japë të gjitha për aspektin kushtetues për dekretin e ministrit të Brendshëm të propozuar nga Rama. Një gjë është e sigurt, që lëvizja e ardhshme në atë që nuk është lojë shahu, por ka të bëjë me fatin e shqiptarëve, është largimi i vetë Edi Ramës.

Në takimin e tij në Korçë, Basha foli dhe denoncoi edhe lidhjet që sipas tij, zyrtarë të lartë të PS kanë me krimin. Basha theksoi se sot PS është rrezik shpërbërjeje.

PS sot është në rrezik shpërbërje për shkak të asaj që quhet organizata kriminale e rilindjes. Në denoncuam marrëdhëniet me politikës dhe krimit.

Si Tahiri e transformoi policinë në një aksesor të mafies së drogës, ai është nën hetim megjithëqë përpjekjet titanike që po bëhen që ta shpëtojë. Denoncuam vëllain e Xhafajt, e paimagjinueshme që të kemi një Ministër të Brendshëm vëllain e një trafikanti droge. Por, falë qëndresës tonë është i delegjitimuar nga detyra e tij.

Denoncuam lidhjet e Taulant Ballës me kriminelë që marrin tendera në kundërshtim me ligjin, dhe bën presion për të liruar të tjerë kriminele nga burgu. Ai pret ndjekjen penale nga një prokurori që pret të dalë nga kapja e krimit.

Deklarata e Bashës vjen një ditë pas një njoftimi nga Presidenti Ilir Meta, ku thuhej se kreu i shtetit nuk ka krijuar një bindje të plotë për gjeneral Sandër Lleshin në krye të Ministrisë së Brendshme.

Vendimi i Metës për të mos dekretuar Lleshin, e lë vendin në një ngërç institucional, ku megjithëse kriminaliteti është një emergjencë, Shqipëria është vendi i parë në Europë që nuk ka një ministër të Brendshëm.