Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Rama se e ka zgjidhur problemin e madh të trafikut të drogës në vend.

Në një reagim për mediat, Basha thotë se kryeministri ka shpallur fitoren imagjinare, pasi deri më tani nuk ka patur asnjë rezultat. Sipas kreut të PD-së, Rama po promovon Gramoz Ruçin dhe Fatmir Xhafën në qeveri, ndonëse sipas tij “Rucit që nga 2005 qeveria amerikane i ka refuzuar hyrjen në SHBA për shkak të përfshirjes në krimin e organizuar dhe trafikun e drogës; dhe Fatmir Xhafa i përfshirë në mbrojtjen e të vëllait të dënuar nga Italia për trafikun ndërkombëtar të kokainës”.

REAGIMI I PLOTE

Njeriu që për tre vjet mohoi problemin e drogës në Shqipëri, duke bekuar kthimin e saj në vendin kryesor të drogës në Europë, sot befas deklaroi se e paska zgjidhur këtë problem. Askush nuk është arrestuar, asnjë drejtues i trafikut nuk është zbuluar, asnjë organizatë trafikantësh nuk është goditur, asnjë rezultat konkret nuk ka patur në asnjë drejtim. Por kryeministri ka shpallur fitoren e luftës që nuk ka ndodhur. Tani që droga shqiptare dhe krimi i organizuar është kthyer në problem politik për qeveritë europiane dhe BE-në, duke rrezikuar integrimin e Shqipërisë dhe kthimin e vizave për shqiptarët, Edi Rama nuk e fsheh dot më, ndaj ka vendosur ta pranojë dhe menjëherë të shpallë fitoren e luftës imagjinare ndaj saj.

Por nga ana tjetër promovon Gramoz Rucin të cilit që nga 2005 qeveria amerikane i ka refuzuar hyrjen në SHBA për shkak të përfshirjes në krimin e organizuar dhe trafikun e drogës, dhe Fatmir Xhafën e përfshirë në mbrojtjen e të vëllait të dënuar nga Italia për trafikun ndërkombëtar të kokainës. Është një lojë e rrezikshme: inkurajim për trafikantët dhe kriminelët që vazhdojnë të patrazuar dhe shkurajim për policët e ndershëm dhe të gjithë shqiptarët që duan ta luftojnë drogën. Është një lojë që do ketë pasoja për shqiptarët dhe të ardhmen e Shqipërisë. Ndaj nuk do ta ndalim asnjë ditë betejën kundër kësaj të keqe që ka pllakosur vendin, demokracinë dhe ekonominë tonë.

Artikulli paraprakPAS VELIPOJËS, RAMA: GATI PËR RRUGËN E RE!
Artikulli tjetërKADRI VESELI RIKONFIRMOHET SI KRYETAR I KUVENDIT TË KOSOVËS