NËNSHKRUHET MARRËVESHJA NË FUSHËN E MBROJTJES MES DY VENDEVE .

Është nënshkruar  Protokolli ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Republikës së Kosovës mbi bashkëpunimin dhe asistencën në fushën e integrimit euroatlantik dhe rajonal. Nga pala shqiptare protokolli është nënshkruar nga zv.ministri i Mbrojtjes, z. Dritan Hila, ndërsa nga pala kosovare nga zv.ministri për Forcën e Sigurisë, z. Muhamet Latifi.
Ky protokoll nënshkruhet në kuadër të bashkëpunimit dypalësh me Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe duke mbajtur në konsideratë nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve midis të dy vendeve dhe vullnetin e përbashkët për ngritjen e tyre në nivelin e një partneriteti strategjik. Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë dhe Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës kanë rënë dakord për institucionalizimin e një praktike të re të bashkëpunimit me projekte të përbashkëta të bazuar mbi objektiva prioritarë të të dy palëve në fushën e integrimit euroatlantik e rajonal dhe kontributin e tyre të përbashkët në interes të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.
Qëllimi i këtij Protokolli është bashkëpunimi, koordinimi i përbashkët dhe asistenca për Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Republikës së Kosovës në procesin e anëtarësimit në strukturat e sigurisë kolektive të NATO-s dhe në iniciativat rajonale. Në Protokoll janë përcaktuar fushat e bashkëpunimit ndërmjet ministrive si: krijimi i strukturave të arsimit dhe trajnimit të njëjta, si dhe disa shkolla të përbashkëta; kurse kualifikimi për operacionet e kërkim-shpëtimit; kualifikimi i nënoficerëve në të gjitha nivelet nga të dyja palët; shfrytëzimi i ndërsjelltë i poligoneve ushtarake, si dhe qendrave simulative; bashkëpunimi në fushën e studimit dhe kërkimit shkencor; organizimi dhe zhvillimi i stërvitjeve të përbashkëta në nivel toge, kompanie etj.