Skuadra e Vllaznisë në basketboll për meshkuj pas konfirmimit paraprak për të marrë pjesë në “Balkan League” sezonin e ardhshëm tashmë ka nisur punën edhe për konsolidimin e ekipit për kampionatin që do të vijë.

Burime pranë Vllaznisë bëjnë me dije se dy basketbollistë shkodran janë pranë nënshkrimit të kontratave me skuadrën për sezonin e ri. Kështu i pari është Dodë Lekndreaj i cili edhe sezonin e kaluar ishte pjesë e Vllaznisë ndërsa pas mbarimit të kampionatit pati disa oferta.

Deri më tani Dodë Lekndreaj nuk ka lëvizur dhe tashmë pas disa bisedave mund të konformijë qëndrimin tek Vllaznia. Përveç tij një tjetër basketbollist që është pranë nënshkrimit të një kontrate me Vllaznisë është edhe Robert Shestani.

I dalë nga ekipet zinxhir të Vllaznisë Shestani sezonet e fundit luajti për disa ekipe të tjera dhe tashmë është pranë rikthimit të tij në Shkodër. Pritet që edhe Shestani në ditët në vijim të nënshkruaj një kontratë me kuqeblutë.

Përveç këtyre dy lojtarëve drejtuesit e Vllaznisë po mendojnë për të mbajtur në skuadër edhe lojtarët e tjerë shkodran që ishin sezonin e kaluar dhe po ashtu përforcimin e ekipit me basketbollist të tjerë që mund të vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Mali i Zi siç ka ndodhur zakonisht pa harruar edhe vendet e tjera fqinje të Shqipërisë.

Projekti i drejtuesve kuqeblu për vazhdimësinë është për të arritur rezultate të larta por deri më tani lëvizjet po bëhen jo me ritme shumë të shpejta. Për të krijuar një skuadër pretendente ndryshe nga sezoni i kaluar kur vetëm në javët e fundit u arrit mbijetesa ajo që nevojitet është ardhja e basketbollistëve cilësor në kohë dhe nisja e përgatitjeve me grupin e plotë në mënyrë që të jenë gati për ndeshjet e kampionatit.

Vllaznia një ditë më parë konfirmoi se do të rikthehet për të marrë pjesë në “Balkan League” si një mundësi për ta nisur mbarë këtë sezon por edhe për të bindur disa lojtarë që t’i bashkohen kuqebluve me idenë që kanë drejtuesit për t’i rikthyer lavdinë e pak viteve më parë edhe pse nga zhvillimet e deritanishme mbetet një mision i vështirë.

Artikulli paraprakSEZON I MBARË PËR KULTIVIMIN E BIMËVE MJEKËSORE
Artikulli tjetërBASKET, PESË SHKODRANE NË KOMBËTAREN E U-18