Vllaznia në basketboll për femra nuk ka arritur që të thyej skuadrën kryesuese të Tiranës. Edhe pse kjo ndeshje u luajt në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në qytetin e Shkodrës skuadra bardheblu arriti që të sigurojë fitoren përballë Vllaznisë në shifrat 74-57.

Vendaset zhvilluan një ndeshje shumë të mirë ndaj Tiranës por pa arritur që të bëjnë ‘mrekullinë’ për të gjetur fitoren. Vllaznia u penalizua edhe nga largimi i tri lojtareve me 5 gabime personale si Mustafa në periodën e tretë dhe Ingrid Dashja me Lugaj në periodën e katërt.

Tirana e nis më mirë lojën duke kryesuar në fillim por Vllaznia nuk dorëzohet dhe në periodën e parë kthen rezultatin në favorin e saj duke fituar 25-24.

Vajzat shkodrane i tregojnë Tiranës se s’do ta kenë aspak të lehtë duke fituar edhe periodën e dytë 12-10 dhe duke kryesuar 37-34 gjysmën e parë të lojës. Në dy periodat e fundit Tirana mobilizohet dhe gradualisht kthen rezultatin.

Skuadra mike fiton 15-9 periodën e tretë dhe 25-11 10-minutëshin e fundit duke fituar krejt takimin 74-57. Për Tiranën Popoviç u tregua vendimtare duke shënuar 3-pikësha plot 9 herë gjatë lojës.

Pavarësisht kësaj humbjeje Vllaznia bëri një ndeshje dinjitoze duke treguar se e ka merituar deri më tani vendin e dytë në renditje.

 

 

LAJMET E FUNDIT NE KOHE REALE