Vllaznia në basketboll për meshkuj ka fituar 79-63 ndaj ekipit të Malit të Zi Zetës. Këto dy skuadra zhvilluan një ndeshje miqësore në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.

Kuqeblutë në fund arritën që të fitojnë. Megjithatë për trajnerin e Vllaznisë, kroatin Neven Plantak kjo fitore në një ndeshje miqësore nuk do të thotë asgjë sepse për të me rëndësi kanë paraqitjet që ekipi do të bëjë në kampionatin shqiptar.

Vllaznia vazhdon të ndodhet në pozita të vështira në renditje ndaj i duhen fitoret për të siguruar mbijetesën.

“Kjo ka qenë thjeshtë një ndeshje miqësore, më tutje do e shohim veten në kampionat sepse kjo ndeshje nuk është diçka e madhe edhe pse ishim më mirë se në Prizren.

Një lojtar, Kristian ishte i dëmtuar por edhe Xhejmsi kishte probleme. Kemi vetëm pak kohë që po bëjmë një stërvitje të plotë.

Në të ardhmen do të shohim në mënyrë që të mos kemi shumë dëmtime dhe të bëjmë një stërvitje të plotë dhe të jemi të gatshëm në kampionat që të marrim më të mirën”.

Trajneri Plantak duke folur për lojtarët e rinj amerikan të ardhur në skuadër thotë se duan ende kohë për t’u përshtatur por megjithatë momentalisht është i kënaqur.

“Prurjet që vijnë në mes të sezonit natyrshëm që janë një vështirësi sepse duan kohën e tyre për t’u konsoliduar.

Megjithatë tani për tani jam shumë i kënaqur dhe për lojtarët e rinj them se na duhet më shumë kohë në mënyrë që ata të përshtaten plotësisht me skuadrën. Sa i përket natyrës time nuk jam nervoz.

Në ndeshjet e kampionatit nuk kam bërë asnjë problem, sot ishte ndeshje miqësore. Mos më provokoni”.

Vllaznia do të rikthehet në kampionat pas pushimit që ishte duke kërkuar rezultate pozitive duke qenë se këtë sezon rrezikon ndjeshëm të paktën deri tani rënien nga kategoria.

Artikulli paraprakKRYEMINISTRI RAMA DE JURE MINISTËR I JASHTËM
Artikulli tjetërVLLAZNIA RIKTHEN MESFUSHORIN SHKODRAN