Vllaznia në basketboll për meshkuj ka shpëtuar kokën vetëm në javën e fundit të kampionatit. Kuqeblutë fituan 89-86 ndeshjen e luajtur në transfertë me Partizanin duke siguruar kështu mbijetesën.

Vllaznia përfitoi edhe nga humbja e Kamza Basket në javën e fundit përballë Goga Basket. Vllaznia dhe Kamza ishin dy skuadrat rivale për mbijetesën.

Në javën e fundit e vetmaj mënyrë për të shpëtuar ishte që Vllaznia të fitonte me Partizanin në transfertë dhe Kamza të humbte ndeshjen e saj me Goga Basket.

Dhe në fakt kështu ndodhi, shkodranët morën një fitore me vetëm 3 pikë diferencë ndërsa Kamza u mund nga Goga Basket. Humbja e Kamzës dhe fitorja e Vllaznisë bëri që kuqeblutë të shpëtojnë rënien nga Kategoria duke u renditur në vendin e pestë ndërsa Kamza e gjashtë në fund të klasifikimit.

Në ndeshjen Partizani-Vllaznia, lojtari i të kuqve Daniel Lekdnreaj nuk ka pranuar që të luaj kundër ekipit të zemrës në këtë ndeshje të rëndësishme dhe vendimtare për Vllazninë ndërsa të njëjtën gjë ka bërë edhe Algerte Gjonaj edhe ky ish-basketbollist i Vllaznisë.

Mungesa e këtyre dy lojtarëve ka bërë që Vllaznia ta ketë më të lehtë fitoren ndaj kryeqytetasve. Megjithatë nuk ishte aq e lehtë sepse Vllaznia fitoi me vetëm 3 pikë diferencë.

Tashmë pas përfundimit të këtij sezoni ku objektiv për shkodranët ishte mbijetesa do të vijojë puna për ndërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm.

Pritet që presidenti Alban Xhaferri të bëjë ndryshime të mëdha. Fillimisht me shumë gjasa drejtori teknik Altin Halili nuk do të jetë më në këtë post ashtu siç pritet një largim edhe i trajnerit të Vllaznisë Neven Plantak i cili mesa duket nuk ka mbushur pritshmëritë ashtu siç duhet.

Ndryshime do të ketë edhe tek lojtarët pasi amerikanët e ardhur nuk kanë bindur plotësisht dhe pritet që të largohen edhe ata për të ndërtuar krejtësisht një skuadër të re dhe pretendente për sezonin e ardhshëm.