Të dielën e kaluar basketbollistët e rinj të Vllaznisë arritën një fitore të thellë ndaj skuadrës së Elbasanit të cilën e priste në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.

Por duket se ecuria tepër e mirë e kësaj skuadre nuk ka të ndalur pasi edhe në takimin e radhës sërish kuqeblutë kanë marrë një tjetër fitore.

Të rinjtë e Vllanzisë kësaj radhe si kundërshtarë kanë pasur skuadrën e Partizanit ku sërish shkodranët kanë dominuar takimin në ndeshjen e luajtur pasditen e së dielës në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit.

Djemtë e drejtuar nga trajnerët Roland Koka e Fatjon Taraboshi kanë fituar me rezultatin 73-54.

Diferenca prej 19 pikësh e regjistruar në fundin e takimit tregon më së miri epërsinë që basketbollistët e rinj shkodranë kanë patur në këtë takim ndaj kundërshtarëve të tyre.

Me fitoren e sotme, Vllaznia vazhdon rrugëtimin e saj të sigurte drejt kreut të renditjes dhe sigurisht edhe mbrojtjes së titullit kampion. Gara padyshim që do të jetë e fortë deri në fund por ata nuk e kanë ndër mend të heqin dorë kollaj nga arritja e këtij objektivi.