Vllaznia në basketboll për meshkuj ka arritur një fitore në ndeshjen e Balkan League ndaj ekipit shqiptar të Pejës së Kosovës. Kuqeblutë fituan 78-62 këtë përballje të luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Një fitore që i jep shpresë Vllaznisë për të dalë mes 4 ekipeve më të mira në Balkan League. Trajneri i Vllaznisë Darko Vujaçiç është i kënaqur me këtë rezultat pozitiv ndaj Pejës.

“Po, një ndeshje e mirë dhe një fitore e madhe për ne në këtë moment. Fitore shumë e rëndësishme për Play Off-in sepse ne duam që të shkojmë në Play Off-in e Balkan League dhe do të japim gjithçka për ta mbyllur pozitivisht sezonin. Kemi patur edhe ndeshjen e parë me Pejën në janar këtu në Shkodër dhe kemi humbur pikë shumë të thjeshtë poshtë tabelës.

Edhe sot në gjysmën e parë të lojës ndodhi e njëjta gjë por më pas në gjysmën e dytë skuadra luajti më mirë dhe nuk bëri të njëjtat gabime dhe arritëm që ta fitojmë këtë takime. Dua që të uroj lojtarët e mi dhe të falenderoj tifozët tanë për mbështetjen që na dhanë dhe do shohim që në çdo ndeshje të arrijmë rezultat pozitiv për të kënaqur tifozët ashtu si sot.

Ne do të japim gjithçka si në Balkan League ashtu edhe në kampionatin shqiptar. Në kampionat mund të luajmë me të gjithë lojtarët ndërsa në Balkan League vetëm me 5 lojtarë sepse nuk kemi aq shumë basketbollistë dhe duhet që t’i ruajmë edhe për kampionatin”.

Pas Balkan League Vllaznia ka dy përballje të rëndësishme me Partizanin dhe Teutën në kampionatin shqiptar dhe objektivi është fitorja në të dy këto sfida.

“Po kemi ndeshjen me Partizanin dhe është shumë e rëndësishme për ne dhe pas Partizanit kemi Tiranën. Janë dy ndeshje që duhet t’i fitojmë sepse Vllaznia është një skuadër më e mirë por nuk duhet t’i nënvlerësojmë kurrsesi këto dy ekipe.

Duhet të mundim Partizanin dhe më pas Tiranën dhe pas këtyre shpresojmë që të marrim rezultate pozitive me Teutën dhe Goga Basket sepse Goga ka tri fitore më shumë dhe ne do të provojmë që përpara Play Off-it të arrijmë rezultat pozitiv me Gogën dhe do ta shohim. Ne po luajmë më mirë tashmë se në janar.

Ndeshjet e para kur erdha nuk ishin shumë të mira dhe tani jemi përmirësuar. Më përpara nuk i kam patur të gjithë lojtarët për shkak të problemeve të ndryshme dhe tani grupi është i plotë dhe kam besim tek kjo skuadër”.

Tarajneri i Pejës i sapoardhur në këtë ekip Aziz Bekir tha se në këtë humbje me Vllazninë në skuadrën e tij ndikuan disa mungesa të rëndësishme.

“Asgjë nuk ishte gabim, rezultoi një ndeshje e pastër. Skuadra jonë mund të japë edhe më shumë se aq. Në pjesën e dytë është e vërtetë që bëmë disa gabime dhe lojtarët nuk dolën në lojën e tyre por na munguan edhe zëvendësimet dhe kjo ndikoi. Kishim dy mungesa të rëndësishme si Berisha dhe Hajrizi që janë të grumbulluar me kombëtaren e Kosovës.

Ne nuk i treguam askujt se ata të dy do të mungojnë sepse janë stërvitur dhe më pas janë grumbulluar. Ne nuk duhet që të çajmë për mungesën e tyre por ata janë lojtarë shumë të mirë dhe skuadra nuk mund të japë maksimumin pa ata.

Vllaznia shënoi lehtë pikët edhe për faktin se kishin edhe disa lojtarë të sëmurë që nuk ishin në gjendjen optimale. Shpresojmë që ndeshjet e ardhshme të luajmë mirë. Natyrshëm që objektivi është të fitojmë Balkan League sepse në basketboll nëse do që të jesh i dyti atëherë ndalo dhe mos luaj fare”.

Vllaznia do të vijojë me pretendimet si në kampionat ku objektiv është titulli kampion por edhe në Balkan League teksa pretendon daljen në Play Off mes 4 ekipeve të mira.