Ndeshja e Balkan League në Bullgari mes vendasve të Akademik Bultex dhe Vllaznisë ka nisur me një minutë heshtje në nderim të viktimave pas tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri ndërsa dy ekipet dolën në fushën me banderolën “Pray for Albania” që do të thotë “Të Lutemi për Shqipërinë”…

Më pas ndeshja ka nisur normalisht, përballje të cilën Vllaznia e humbi 74-91 në transfertë ndaj ekipit bullgar. Vendasit tregojnë forcën e tyre që në fillim të lojës por edhe diferencën me një ekip si Vllaznia teksa fitojnë 31-19 periodën e parë. Skuadra shkodrane tenton të bëjë diçka në periodën e dytë teksa e fiton atë 16-14 por sërish diferenca në gjysmën e parë të lojës është me 10 pikë në favor të ekipit të Bultex.

Të gjitha shpresat për shkodranët për këtë përballje shuhen në periodën e tretë që Bultex e fiton 25-15 duke bërë që diferenca pas kësaj periode të jetë me 20 pikë në disfavorin e Vllaznisë duke bërë që 10 minutëshi i fundit të jetë më shumë statistikë. Shkodranët luajnë më mirë në periodën e katërt dhe të fundit por rezultati 24-21 në këtë period nuk mjafton për të përmbysur diferencën e konsiderueshme të venadasve.

Kështu Akademik Bultex fiton 91-74 ndaj kuqebluve në një përballje të dominuar pothuajse totalisht nga bullgarët. Kjo është ndeshja e katërt e Vllaznisë në Balkan League ndërsa në katër takime ka arritur vetëm një fitore dhe 3 humbje duke patur kështu një bilanc negativ deri më tani.

Pas kësaj ndeshje të Balkan League, Vllaznia do të rikthehet për të luajtur në ndeshjet e kampionatit shqiptar të basketbollit teksa sfidën e radhës do ta ketë ndaj Tiranës në transfertë, një përballje ku kuqeblutë do të kërkojnë fitoren duke qenë se pretendimet e tyre në këtë kampionat janë të larta duke synuar fitimin e titullit kampion,

një mision jo i lehtë duke parë edhe rivalët e tjerë apo humbjet e shkodranëve përballë këtyre ekipeve pretendente. Megjithatë Vllaznia synon që me ardhjen e trajnerit të ri situata të ndryshojë edhe në ndeshjet e kampionatit.

Artikulli paraprakSHKODËR-KOPLIK, AKSIDENT ME KATËR TË PLAGOSUR
Artikulli tjetërSHKODËR, NDEROHEN MË TË MIRËT E SHEKULLIT NË VOLEJBOLL