Vllaznia në basketboll pë meshkuj ka humbur ndeshjen e radhës ndaj Goga Basket.

Në takimin e zhvilluar në Durrës Goga Basket fitoi 106-77 ndaj Vllaznisë në një ndeshje të dominuar totalisht nga ekipi vendas.

Vllaznia arriti të bëjë pak rezistencë vetëm në periodën e parë të cilën e fitoi Goga Basket në shifrat 28-20. Në periodën e dytë Vllaznia lëshon shumë në lojën e saj duke mos u koordinuar siç duhet as në sulm dhe as në mbrojtje.

Shkodranët realizojnë vetëm 9 pikë kundrejt 26 pikëve të ekipit durrsak. Kështu pas gjysmës së parë të lojës Goga udhëheqte ndeshjen në shifrat 54-29, duke e mbyllur praktikisht fatin e kësaj përballjeje.

Në periodën e tretë Vllaznia tenton të reagojë por sërish nuk ka fuqinë e duhur për të bërë diçka ndryshe ndaj një ekipi si Goga Basket. 20-19 mbyllet perioda e tretë dhe rezultati shkon në 74-48.

Vendasit fitojnë edhe 10-minutëshin e fundit 32-29 dhe krejt ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm 106-77.

Vllaznia me këtë humbje vazhdon që të jetë me pikë të barabarta me ekipin e Kamzës, skuadër me të cilën luftën se kush të sigurojë mbijetësn në ligën e parë të basketbollit.

Kamza humbi edhe ajo kësaj jave me Tiranën duke bërë që këto ekipe të kenë sërish pikë të barabarta në fundit e renditjes.

Tashmë duhen edhe 4 javë për t’u luajtur dhe me shumë mundësi skuadra e cila do të shpëtojë këtë sezon do të vendoset në përballjen direkte që do ketë Vllaznia me Kamzën pas dy javësh, ndeshje kjo që do të luhet në Kamëz.

Nga ana tjetër Vllaznia në basketbollin e femrave arriti një fitore ndaj ekipit të Studentit, përballje kjo e zhvilluar në transfertë. Vajzat shkodrane fituan 73-68 duke marrë kështu një fitore të rëndësishme në këtë javë.