Skuadra e Vllaznisë në basketboll për meshkuj pritet që të regjistrohet në kompeticionin e rëndësishëm “Balkan League” në sezonin 2019-2020. Presidenti i Vllaznisë Alban Xhaferri sipas burimeve ka marrë kontakte me drejtues të Balkan League dhe pritet që brenda pak ditëve të bëhet edhe regjistrimi zyrtar.

Në total Vllaznisë pjesëmarrja në këtë kompeticion i kushton rreth 9 mijë euro prej të cilave 4 mijë janë për regjistrimin dhe 5 mijë të tjera janë si garanci të cilat mund të kthehen mbrapsht në rast se kuqeblutë nuk ndëshkohen me gjoba apo shfaqin problematika të ngjashme gjatë ndeshjeve që do të zhvillohen. Vllaznia në basketboll për meshkuj deri më tani ka gjetur vetëm trajnerin e ri, bullgarin Nikolay Gospodinov.

Nga ana tjetër ende nuk ka lojtar të ardhur tek kuqeblutë për të firmosur kontratat e reja dhe për ta kthyer skuadrën në një ekip pretendent siç janë edhe objektivat e drejtuesve. Presidenti Xhaferri dhe stafi i tij sipas burimeve pranë tyre janë në bisedime me disa lojtar shqiptar por edhe të huaj, amerikan por edhe malazez dhe në ditët në vijim pritet që të vijnë kontratat e para. Ky ndryshim tek Vllaznia është i dosmodoshëm si e vetmja mënyrë për të qenë një ekip i suksesshëm.

Sezonin e fundit kuqeblutë rrezikuan ndjeshëm rënien nga Superliga duke zhvilluar një kampionat me shumë luhatje dhe duke qenë në vendin e fundit për shumë kohë ndërsa gjithçka sa i përket mbijetesës u vendos në ndeshjet e fundit të kampionatit ku shkodranët arritën të shpëtuan.

Tashmë për të mos u përsëritur e njëjta histori ajo që nevojitet është ndërtimi i një ekipi ndryshe me basketbollist cilësor që të paktën të mos diskutohet mbijetesa dhe Vllaznia të jetë mes katër ekipeve më të mira sezonin e ardhshëm sepse titulli kampion për momentin duket mision i pamundur duke parë përgatitjet e skuadrave të tjera.

Në Balkan League ku Vllaznia pritet të regjistrohet këtë sezon mund të marrin pjesë 8-12 ekipe mes të cilave edhe kuqeblutë dhe në fund 4 ekipet më të mira do të diskutojnë për fitimin e këtij trofeu të rëndësishëm. Pavarësisht regjistrimit në këtë kompeticion më shumë rëndësi për Vllazninë ka rikthimi i lavdisë që pati kjo skuadër pak vite më parë duke fituar tituj kampion dhe duke mbushur pallatin e sportit me tifozë.

Artikulli paraprakLEZHË, ARRESTOHEN 2 PERSONA TË SHPALLUR NË KËRKIM
Artikulli tjetërÇUDISIN TEK VLLAZNIA, DUAN DALJEN NË KUPAT E EUROPËS