Kur kanë kaluar 4 ditë nga shpallja e paligjshme e lotarive sportive, bastet “online” në faqe të huaja vijojnë të jenë të hapura.

Kur përdorim internet në “smartphone” nga disa operatorë të telefonisë së lëvizshme, faqet e njohura të huaja që ofrojnë shërbim për baste sportive dhe lojëra elektronike fati janë të bllokuara.

Por, e kundërta ndodh kur zgjedh të “log”-ohesh nga një pajisje “smartphone”, “laptop” ose kompjuter, dhe të gjitha faqet e lartpërmendura janë 100% funkionale.

Ndërkohë, të gjitha faqet “online” të kompanive shqiptare të basteve rezultojnë të mbyllura, madje disa prej tyre kanë dhënë edhe shpjegime, duke lënë njoftime për klientët.

Sipas ekspertëve të fushës, bllokimi i faqeve të huaja të basteve është i pamundur, për shkak të mundësive të pafundme që ofron teknologjia, për të shmangur edhe pengesat që mund të vendosin autoritetet.

Me sa duket, ligji ka dhënë efektet e para, duke hequr kumarin që kishte zaptuar çdo lagje, por jo atë virtual. Ndërkohë, të enjten policia procedoi penalisht dy persona, të cilët që nuk kishin mbyllur aktivitetin dhe iu gjetën aparatura për lojëra fati.

Duket se bastet “online” jashtë vendit vijojnë vetëm nga ata që kanë mundësi financiare dhe njohuri teknologjike, ndërsa për pjesën dërrmuese të lojtarëve të kumarit në garat sportive, bastet janë bërë tërësisht të pamundura.