Në fillim të shtatorit, ministrja Belinda Balluku ka përmendur për herë të parë krijimin e një agjencie të përqendruar, e cila të merret me shpronësimet për interesa publike. Gjatë inspektimit të punimeve në by pass-in e Fierit, ditën e diel, ajo përsëriti se projekti në fjalë është duke përparuar dhe në tetor do të jetë gati për miratim.

Agjencia

Sipas ideatorëve të këtij ndryshimi në administratë, problemet me shpronësimet janë arsyeja kryesore pse disa nga projektet e investimeve publike kanë mbetur në vend për momentin. Për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate, ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po punon për ngritjen e një strukture që do të jetë Agjencia e Shpronësimeve për Interes Publik, ku do të përqendroheshin të gjitha instancat që merren me shpronësimet. Pra, ajo do të bashkonte në një institucion të vetëm specialistët dhe të gjitha njësitë që janë të shpërndara sot nëpër ministri.

Ideja është që të jetë një strukturë e vetme, që do të shkurtonte procedurat, që tani kërkohen nga një numër institucionesh dhe nga çdo autoritet kontraktues shtetëror.

Ende nuk dihet nëse projekti parashikon që ky institucion qendror të marrë përsipër edhe disa nga funksionet që aktualisht i kryejnë departamente të caktuara të 61 bashkive, por kjo do të mësohet kur drafti të paraqitet publikisht, çka pritet të ndodhë pas disa ditëve.

Çmimet

Risia që bën më shumë përshtypje është ajo, që ka të bëjë me caktimin e çmimit të pronës që do të shpronësohet. Për gati tri dekada, qeveria ka përcaktuar, sipas zonave, çmime referencë, për toka, troje, ose ndërtesa. Kjo ka qenë edhe burim për konflikte e vonesa të pafundme, duke qenë se në shumicën dërmuese të rasteve pronarët që shpronësohen nuk kanë qenë të kënaqur me shumen, me të cilën do të kompensohen nga shteti financiarisht. Realisht, gjithnjë çmimet e referencës të caktuara nga shteti, kanë qenë shumë më të ulta se ato të tregut. Kështu, psh në asnjë rajon të Shqipërisë toka bujqësore nuk shitet me 30 apo 80 lekë për metër katror, por shteti, kur ka shpronësuar ka paguar edhe fatura me të tilla çmime.

Ndryshe nga kjo praktikë, duket se hapet dera edhe për negociata qeveri-pronarë, në mënyrë që të mos bllokohen projekte të rëndësishme të infrastrukturës. Gjatë krijimit të kësaj agjencie, qeveria do të rishikojë bazën ligjore, së pari, për të shpejtuar procesin e pagesës financiare dhe, së dyti, rënien dakord me bisedime dypalëshe paraprakisht për vlerën e zhdëmtimit, duke krijuar kështu kushtet për kapërcimin e situatave me gjyqe, përplasje me dhunë, sëbashku me problemet sociale që lindin bashkë me to.

Megjithatë, rruga e negociatave nuk do të jetë e vetmja dhe mund të shihen edhe opsione të tjera.

Ngërçi

Thuajse në çdo projekt investimi, procesi i shpronësimeve është shoqëruar me problematika të ndryshme. Rasti i fundit është Bypassi i Vlorës, ecuria e të cilit ka qenë e ngadaltë për shkak të shpronësimeve. Po kështu është vepruar edhe në Bypass-in e Fierit, etj. Për të mos folur për Unazën e Re të Tiranës, ku vonesat janë shumëvjeçare, duke bllokuar çdo mundësi realizimi të projektit, krahas vonesave që shkaktoi mashtrimi me dokumentat i firmës fituese në lotin e parë dhe parregullsitë në tendera në vazhdim.

Edhe në aeroportin e Kukësit, pronarët e shtesës që po ndërtohet kanë sërish probleme për çmimet. Kryetari i bashkisë Kukës, Safet Gjici, deklaroi këto ditë se bashkia ka nisur negociatat me qeverinë për të zgjidhur problemin e pronarëve të tokës në aeroportin e Kukësit. “I njohur me pretendimin e pronarëve të tokave, ku po ndërtohet shtesa e aeroportit të Kukësit, për shkak të vlerës së ulët të shpronësimeve, kemi nisur negociatat me qeverinë për të riparë vendimin. Në bashkëpunim me qeverinë dhe koncensionarin po negociohet për të gjetur një zgjidhje. Aeroporti është në interesin e gjithë kuksianëve, ndaj ai duhet të përfundojë sa më parë”, tha ai.

Ndërkohë, në Unazën e Re, pjesa perëndimor, tashmë është shpallur fondi i shpronësimeve në masën 1.22 miliardë lekë, për toka dhe objekte, ku përfshihen vetëm ato që janë me leje dhe të regjistruara.

Nuk dihet nëse kjo shifër do të rishikohet më me metodologjinë e re që pritet të miratohet.

Risia

Risia që bën më shumë përshtypje është ajo, që ka të bëjë me caktimin e çmimit të pronës që do të shpronësohet. Për gati tri dekada, qeveria ka përcaktuar çmime referencë, për toka, troje, ose ndërtesa

Organizimi

Ministria e Infrastrukturës synon një strukturë, ku do të përqendroheshin të gjitha instancat që merren me shpronësimet. Ajo do të bashkonte në një institucion të vetëm gjithë njësitë e shpërndara