“SHKËLQEJ DHE I BËJ TIFOZËT TË MË KUJTOJNË GJATË”.Bekim Balaj është prezantuar  zyrtarisht te klubi kroat, HNK Rijeka. Sulmuesi ka firmosur një kontratë 2.5- vjeçare me opsion rinovimi edhe për dy sezone të tjera. lojtari do të marrë 20 mijë euro në muaj, ndërsa klubi i Slavies së Pragës,

ku ishte nën kontratë, do të përfitojë nga transferimi një shumë prej 550 mijë eurosh. Në prezantimin para mediave kroate, Balaj foli me optimizëm për aventurën e re. “Qëkur më kanë thënë se ekziston interesimi i Rijekës, kam qenë i sigurt që dua të luaj në Kantridë (kështu quhet stadiumi dhe një lagje në Rijeka).

Për Rijekën kam shumë njohuri, pasi e kam ndjekur në ndeshjet e Ligës së Europës. Kam po ashtu mjaft njohuri edhe për kampionatin kroat, duke pasur parasysh se këtu kanë luajtur shumë futbollistë shqiptarë ndër vite. Shpresoj të luaj mirë dhe të përmbushë pritshmëritë e klubit e trajnerit. Dua që një ditë tifozët e Rijekës ta kujtojnë emrin tim për mirë. Karakteristikat e mia? Nuk dëshiroj shumë të flas për veten time, por dua që në fushë të tregoj cilësitë e mia”, ka thënë Balaj pas kontrollit mjekësor dhe nënshkrimit të kontratës, kur edhe formalisht u bë blerja e dytë e Rijekës në këtë merkato.

Sulmuesi shtatlartë që ka lindur në Shkodër, karrierën e ka filluar me Vllazninë, ndërsa para se të vinte te Rijeka, ka luajtur me Gençlerbirligi, Tiranën, Sparta Pragën, Jagiellonian dhe Slavijen e Pragës. Për përfaqësuesen e Shqipërisë ka luajtur 8 ndeshje dhe ka shënuar një gol, pikërisht në fitoren historike në transfertën kundër Portugalisë, e vlefshme për kualifikimet e EURO 2016. Balaj kishte edhe ofertë edhe nga klubi i Serisë A, Atalanta, pronari i së cilës ka gjithashtu aksione te klubi i Rijekës.

LAJMET E FUNDIT NE KOHE REALE