MBI TË RËNDON AKUZA E VRASJES PËR NJË NGJARJE TË NDODHUR NË MARS 1999. Prokuroria e Përgjithshme konfirmon kërkesën e shtetit belg për arrestimin e deputetit Mark Frroku nën akuzën e vrasjes.Kërkesa nga Interpol Belgjika i është dorëzuar Interpol Tiranës dhe kjo e fundit e ka dorëzuar pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

Nderkaq Prokuroria e Pergjithshme i eshte drejtuar me nje kerkese organit legjislativ ku i kerkon autorizimin për “arrestimin” e shtetasit Mark Frroku, “pasi ndaj tij autoritetet gjyqësore belge kanë nxjerrë urdhërin e arrestit ndërkombëtar, si person i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim” në bashkëpunim”. Nëse Kuvendi do të japë aprovimin e tij, deputeti demokristian do të duhet të vihet para autoriteteve belge për t’iu përgjigjur drejtësisë atje për akuzën e “Vrasjes me paramendim” në bashkëpunim”. Deputeti Frroku, i cili mban dhe postin e kreut të Partisë Kristian- Demokrate rezulton të jetë dënuar  në 2010 me 10 vjet burg në mungesë nga një gjykatë belge për akuzën e vrasjes së bashkëkombasit të tij, Aleksander Kurti, me  5 marsi1999. Ngjarja mësohet se ka ardhur si rezultat i përplasjes së bandave mbi afera prostitucioni dhe trafiku ilegal emigrantësh.  Frroku  akuzohet se ka qëlluar për vdekje me thikë Aleksander Kurtin në një stacion metroje, Gare du Midi, në rrugën ‘Fonsny”, në jug të Brukselit”. Sipas autoriteteve belge, Mark Frroku përdorte identitet të rremë të një kosovari nën emrin Besnik Morina. Ai u dënua për vrasje së bashku me Arjan Bytyçin me pretendimin se viktima u kishte  hyrë atyre në trafikun e prostitucionit që kontrollohet nga shqiptarët në Begjikë. Ata u ndaluan nga policia pas shumë kohe, por dolën nga burgu përpara sesa të fiksohej data e gjyqit të Brukselit, në janar të 2010-s. Ata u shpallën fajtorë në përfundim të procesit dhe u dënuan me nga 10 vjet heqje lirie, në mungesë. Meqë qenë lënë të lirë para këtij çasti, ata nuk u paraqitën asnjëherë para togave të zeza. Sipas  portalit “Nord Eclair.be” pas rekursit të Prokurorit të Përgjithshëm, ka pasur një shfuqizim të masës së dënimit të 24 marsit 2010 dhe Frroku dhe Bytyçi duhet të rigjykohen.