Pavarësisht nismave të Bashkisë Shkodër, kanalet e kullimit vijojnë të mbeten të bllokuara si pasojë e mospastrimit. Dhjetra kanale kulluese dhe vaditëse në njësinë administrative Bërdicë kanë dalë jashtë funksionit.

Përgjatë aksit Shkodër-Velipojë, mbetjet e shumta urbane si dhe mungesa e pastrimit ndër vite, ka bërë që vërshimi i ujërave të përmbytë dhjetëra hektarë toka bujqësore..Kanalet e kullimit të ujërave janë bllokuar në shumë segmente, ndërsa kanalet vaditëse janë aktualisht jashtë funksionit.

Kjo është edhe njëra ndër arsyet kryesore që disa muaj më parë, një hapësirë e madhe e tokave bujqësore u përmbyt.

Aktualisht fermerët kanë vijuar mbjelljen e tokave bujqësore, ndonëse ekziston frika e përmbytjeve për shkak të kanaleve të bllokuara edhe si pasojë e hedhjes së mbeturinave, për të cilat në verë janë dhe shkak për burim infeksionesh.

Duket se ish-komunat, sot njësi administrative nuk kanë patur asnjëherë fonde të mjaftueshme për të ndërhyrë duke bërë që më me qindra hektar tokë të ngelet djerrë për shkak të mungesës së vaditjes dhe kullimit.