Avokatët mbrojtës të Berluskonit donin të dinin nëse klienti i tyre, ish kryeministri i Italisë, ishte thirrur për t’u marrë në pyetje thjesht si dëshmitar, apo nëse po hetohej për një nga çështjet më të rëndësishme, në mënyrë që të dinin nëse mund ta përdorte apo jo të drejtën për të mos folur.

Çështja në fjalë është për një nga gazetarët më të njohur në Itali, Mauricio Konstanco, i cili i shpëtoi një bombe në makinë në vitin 1993, në Romë.

Prokurorët e Firences kanë dërguar materialet e tyre të hetimit në Gjykatën D’Asise të Palermos, ku del se ish-kryeministri i Italisë është në fakt nën hetim si i dyshuar.

Prokura e Toskanës ka rihapur hetimin për masakrat e dyshuara të Koza Nostras, të cilat përfshijnë edhe disa atentate në Milano, Firence dhe Romë gjatë vitit 1993.

Themeluesi i Forza Italia po hetohet gjithashtu si bashkëpunëtor me Koza Nostran edhe për atentatin e dështuar ndaj mafiozit të penduar të Koza Nostras, Salvatore Kontorno, në 14 Prill të vitit 1994, në Formelo.