POLITIKA I BASHKOHET FESTËS ME URIMET PËRKATËSE.Besimtarët myslimanë kanë kremtuar  Kurban Bajramin në të gjithë Shqipërinë. Festimet që i takojnë kësaj dite shënojnë flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit të Zotit dhe në emër të dashurisë për njeriun. Kremtimi i kësaj feste filloi në orët e para të mëngjesit, kur mijëra besimtarë myslimanë u mblodhën në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, për të falur Namazin. Ndërkohë që kësaj feste i janë bashkuar dhe urimet përkatëse nga ana e përfaqësuesve politikë. 

Më shumë paqe, vllazëri dhe begati ka uruar sot Presidenti i Republikës Bujar Nishani për të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit. Gëzuar këtë festë të madhërishme që na afron me njëri-tjetrin kur fëmijëve u jepen dhurata, ushqimi ndahet me fqinjin dhe fukarain, i ngopuri kujton të uriturin, pasunari fukarain, i shëndetshmi të sëmurin, i suksesshmi hallexhiun, dhe të gjithë së bashku kujtojmë Zotin thuhet në urimin e Presidenti Nishani. Ndërkohë Kryeministri Edi Rama ka publikuar një kartolinë në rrjetet sociale “Facebook” dhe “Tëitter”, përmes së cilës ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.Kryetari i parlamentit Ilir Meta ka thënë se politika duhet të mësojë nga bashkëjetesa fetare në Shqipëri. “Kjo ditë na nxit për më shumë falje, tolerancë e mirëkuptim”. Kështu deklaroi kryetari i Kuvendit Ilir Meta. Ai ka theksuar se shqiptarët duhet të jenë krenarë për tolerancën dhe harmoninë fetare, kryeparlamentari Meta tha se politika duhet të mësojë nga bashkëjetesa fetare. Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zgjedhur të festojë pranë qytetarëve të Kavajës festën e Kurban Bajramit. Gjatë vizitës së tij në xhaminë e Kavajës, Basha ka uruar besimtarët myslimanë për këtë ditë të shënuar për ta, duke shtuar se ky qytet ruan traditat. “Në këtë ditë të festës së Kurban Bajramit, urimi im u shkon të gjithë besimtarëve të Zotit dhe të gjithë shqiptarëve; Gëzuar Kurban Bajramin. Mbarësi, Dashuri, e Mirësi sjelltë për çdo shqiptar, për çdo familje shqiptare e për të gjithë kombin tonë kudo.-tha Basha. 

 

[iframe width=”300″ height=”510″ src=”//www.youtube.com/embed/JE-IBRcElvY?list=UU0aBDfsVqdL53NOE5eMXAUw” frameborder=”0″ allowfullscreen ]