Mjeshtri i Madh, aktori i humorit Besnik Çinari, nga të fundit që kanë mbetur nga ajo plejadë e mrekullueshme aktorësh të estradës në teatrin “Migjeni” ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Që mbrëmë Besnik Çinari është dërguar me urgjencë në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë pas një infarkti në zemër duke u shtruar në repartin e kardiologjisë. Në sallën e reanimacionit mjekët i kanë vendosur një unazë ndërsa duhet që të bëjë edhe një tjetër ndërhyrje.

Momentalisht sipas burimeve Besnik Çinari vazhdon që të jetë në zonë rreziku dhe ende nuk është stabilizuar gjendja e tij shëndetësore ndërsa është nën kujdesin e rreptë të mjekëve.

Besnik Çinari vitet e fundit shpesh herë ndodhej në gjendje stresi për shkak të shumë problemeve që lidhen me estradën e Shkodrës duke nisur që nga pagat e ulëta, kushtet jo të duhura dhe deri tek një trajtim herë pas here edhe pa respekt.

Të gjitha këto e kanë ngarkuar Mjeshtrin e Madh Besnik Çinari. Përpara se të shkonte në gjendje të rëndë shëndetësore aktori i humorit solli premierën e tij “Humor me Shkollë të Mesme”, duke qenë edhe regjisor i shfaqjes por edhe aktori kryesor.

Një premier e sjellë me disa skeçe të ndryshme si çështja e bixhozit, tradhtia në çift dhe deri tek rënia e Vllaznisë në Kategorinë e Parë në prag të 100 vjetorit të themelimit të klubit më të vjetër në Shqipëri.

Edhe pse nuk ndjehej aspak mirë nga ana shëndetësore Besnik Çinari zgjodhi që të mos e braktisë skenën e teatrit dhe të jetë aty deri në fund duke korrur sukses për 4 netë me radhë.

E gjitha kjo ndodh ndoshta në ditën më të veçantë të Besnik Çinarit,
në 60 vjetorin e krijimit të estradës profesioniste të teatrit “Migjeni”. E menduar me një dokumentar natyrshëm që një vend të veçantë ka edhe Besnik Çinari për gjithë kontributin e tij për vite me radhë si pjesë e estradës së Shkodrës.

Tashmë kjo ngjarje e hidhur me Besnik Çinarin, duke shpresuar që ai ta kalojë dhe të rikthehet sa më parë pranë nesh duhet të jetë më shumë se një këmbanë alarmi.

Ajo që ka rëndësi në këtë moment është vetëm përmirësimi i gjendjes shëndetësore të Besnik Çinarit edhe pse mospjesëmarrja e tij në 60 vjetorin e estradës të Shkodrës patjetër

që është një mungesë e madhe në këtë ditë të rëndësishme. Star Plus i uron rikthim sa më të shpejtë pranë gjirit familjar e pse jo edhe publikut të gjërë shkodran e shqiptar si një prej figurave të shquara të humorit.

Artikulli paraprakSHKODËR, 42-VJEÇARJA SERBE KAPET NË MURIQAN
Artikulli tjetërDRAMË KUSHTUAR MARTIRIT DOM DEDË MAÇAJ