Pas marrjes së mandatit nga KQZ-ja, katër deputetët e rinj nga lista e LSI-së janë betuar në Kuvendin e Shqipërisë. Betimi i deputetëve të rinj të opozitës së re është shoqëruar me duartrokitje nga deputetët e shumicës. Opozita dogji mandatet, ndërsa katër kandidatë nga LSI-ja, pranuan të ulen në karrigen e deputetit; Aurora Mara, Ylli Shehu, Edmond Rrushaj dhe Enver Roshi. Ata kanë zëvendësuar Edmond Haxhinaston, Floida Kërpaçin, Endrit Brahimllarin dhe Përparim Spahiun. Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi i ka quajtur tradhtarë kandidatët në listat e kësaj partie në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, dhe ka folur për presion që i është bërë nga ana e qeverisë.

Deputetët e rinj

Aurora Mara ishte kandidate e LSI-së në Qarkun e Dibrës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Ajo ishte e dyta në listë pas ish-deputetit Përparim Spahiu, i cili ishte edhe udhëheqësi i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Dibrës.

Ylli Shehi u zgjodh deputet për herë të parë në vitin 2013 nën siglën e Partisë Republikane të udhëhequr nga Fatmir Mediu. Para zgjedhjeve vendore të vitit 2015, ai kaloi me LSI-në, gjë e cila krijoi besimin për ta rikandiduar edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

Edmond Rrushaj ishte i nënti në listën e kandidatëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Ai ka mbajtur më përpara detyrën e drejtorit të QSUT-së.

Enver Roshi ka mbajtur më parë detyrën e drejtorit të Institutit të Shëndetit Publik si edhe të dekanit në Fakultetin e Mjekësisë.