Mosmiratimi i buxhetit të bashkisë Prrenjas për vitin 2019 ka detyruar këtë të fundit të njoftojë mbylljen e kopshteve dhe çerdheve ditën e nesërme pasi nuk garantohet dot ushqimi për të vegjëlit.

Një masë e tillë është pritur me protesta nga dhjetëra qytetarë dhe prindër.
Kryebashkiakja, Miranda Rira, në një lidhje me skype për Ora News e cilëson këtë bllokim politik.

Rira: Problemi i vetëm dhe i madh i kërtij miratimi ka qenë grupi socialist që ka bllokuar buxhetin në mënyrë të njëpasnjëshme.Sot ka pasur një mbledhje tjetër, një kërkesë nga pjesa tjetër e këshillit. Kjo gjë nuk ka ndodhur.

Vetë Komisioni i Ekonomisë që duhet të mblidhet para këshillit nuk është mbledhur qëllimisht dhe pse është thirrur tre herë.Është bllokuar nga kryetari i komisionit që është njëkohësisht kryetari i PS-së Prrenjas.

I dirigjuar nga deputetët e PS-së Belba dhe Balla.Gjendja është kaotike, admninistrata e paralizuar, kopshtet dhe çerdhet nuk kanë ushqim.
Rira thotë se i janë drejtuar me shkresa të posaçme prefektit të qarkut, Kryeministrit, Këshillit bashkiak dhe gjithçka ka dështuar.

Rira: Gjithçka ka dështuar.Gjithça është bllokuar vetëm për të krijuar këtë situatë kaotike tani disa muaj para zgjedhjeve lokale. Gjithçka është politike, nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të kërkojmë mbylljen e kopshteve dhe çerdheve.Është turp dhe fatkeqësi që sot në Shqipëri bëhet politike me fëmijët e vegjël. Janë rreth 500 fëmijë.

Kryebashkiakja madje tha se ka kërkuar dhe shpërndarjen e Këshillit.
Rira: Kemi kërkuar dhe përdorimin e 1/12. Për këtë arsye i kemi shkruar prefektit të qarkut dhe Këshillit të Ministrave për tu shpërndarë Këshilli bashkiak dhe ne të vazhdojmë me 1/12. As kjo gjë nuk ka ndodhur.