PD KËRKON DEKRIMINALIZIMI I PARLAMENTIT DHE NJË MEKANIZËM TË RI. Tashmë prej 5 muajsh opozita ka braktisur Kuvendin, dhe për të thyer bojkotin e saj parlamentar, demokratët kanë rreshtuar një sërë kushtesh, dy prej të cilave janë plotësuar nga mazhoranca. Në seancën plenare të 23 tetorit, me propozim të kreut të grupit parlamentar të PS Gramoz Ruçi, mazhoranca votoi për miratimin e dy komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita, atë për serverat e tatimeve dhe për administratën publike.

Së dyti, u miratua po ashtu edhe kërkesa e dytë e opozitës, për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, që pas kryeministrit të flasë me po të njëjtën sasi kohore një deputet i opozitës.

 

Këto kërkesa erdhën pasi opozita shpesh kishte artikuluar nevojën se qeveria duhet të zbatojë çdo të drejtë kushtetuese që ka çdo opozitë apo grup deputetësh për të ngritur komisione hetimore. E të njëjtit rend me këtë kusht tashmë të plotësuar, opozita ka kërkuar nga mazhoranca zbatimin e çdo vendimi të gjykatës kushtetuese.

 

Por kushti themelor, që ripërsëritet nga krerët e lartë të PD-së, është dekriminalizimi i parlamentit dhe krijimi i një mekanizmi për ta bërë të mundur këtë. Pavarësisht se ngritja e këtij kushti nga ana e opozitës nuk është formuluar asnjëherë në mënyrë ligjore apo konkrete, kreu i demokratëve Lulzim Basha ngulmon fort, që opozita nuk mund të kthehet në një parlament, ku në të ka persona të lidhur me krimin dhe deputetë që dhunojnë fizikisht deputetët e opozitës. Fillimisht e formuluar si një kërkesë drejtuar mazhorancës, tashmë opozita kërkon që kjo marrëveshje të arrihet përmes faktorit ndërkombëtar, duke e përdorur këtë të fundit si një ndërmjetës dhe garant për arritjen e një zgjidhjeje të ngërçit politik

 

Një kusht tjetër, i artikuluar nga vetë shefi i opozitës Basha, është kërkesa drejtuar Kryeministrit, që ky i fundit të kërkojë falje publike për skandalin e dhunës fizike, ushtruar nga deputetët e PS kundrejt demokratit Gent Strazimiri.