Pavarësisht mungesës së një presidenti në krye të ekipit, ekipi i boksit i Vllaznisë e ka gjetur mundësinë që të grumbullohet sërish në plazhin e Velipojës. Boksierët kuqeblu bashkë me trajnerët janë grumbulluar në një kamping të këtij plazhi dhe kanë nisur përgatitjet për kampionatin kombëtar që do të zhvillohet në muajin tetor.

 

Një stërvitje e tillë në këtë vend është realizuar edhe në vitet e mëparshme por ajo është mundësuar nga dyshja e presidentëve Hoxha e Livadhi që kanë qenë në krye të ekipit deri para disa muajsh. Largimi i tyre nga Vllaznia natyrisht që krijoi probleme megjithatë kryetrajneri Zef Gjoni ia ka dalë që edhe këtë herë të sigurojë stërvitjen dyjavore në këtë pikë turistike.

 

Sportistët kanë nisur të zbatojnë programin stërvitor shoqëruar me dy seanca në ditë dhe kuptohet që e rëndësishme në këtë periudhë është ardhja në formën e duhur fizike. Stërvitja më pas do të spostohet në Shkodër ose në ndonjë pikë turistike malore para se të vijë koha për t’i dhënë dorën e fundit përgatitjeve për kampionatin kombëtar që do të zhvillohet pas dy muajsh.

 

Në krye të ekipit gjatë këtyre stërvitjeve në Velipojë qëndron kapiteni Nelson Hysa i cili do të tentojë titullin e rradhës individual por edhe të ndihmojë Vllazninë për të fituar titullin e 22-të kampion.