Presidenti turk, Erdogan shigjeton tregjet financiare, agjencitë e vlerësimit dhe Bankën Qendrore të vendit. Fushatë zgjedhore apo po i mbaron benzina motorit të ekonomisë turke?

Gati një muaj para gjedhjeve, presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan ndodhet nën presion, jo vetëm për shkak të gjendjes ekonomike. Erdogan vërtet mund të krenohet me një rritje ekonomike prej 7,4% në vitin e kaluar, por shumë ekonomistë shprehin dyshim, nëse shifrat reflektojnë gjendjen e vërtetë të ekonomisë turke.

Sepse edhe nëse u besohet shifrave zyrtare, problemet janë të pamohueshme. Papunësia është e lartë, sidomos tek të rinjtë. “Një pjesë e rëndësishme e rritjes ekonomike bazohet në konsumin e brendshëm”, thotë Erdal Yalcin, profesor për marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare në Shkollën e Lartë të Kontancës (HTWG). Këtu bëjnë pjesë projekte ndërtimi të shtetit, si edhe shpenzimet e firmave dhe ekonomive shtëpiake, të gjitha të financuara me kredi.

Si pasojë lira turke ka rënë në vlerë. Një problem serioz për një vend që importon më shumë se sa eksporton. Përqindja e inflacionit kap rreth 11%. Banka Qendrore duhej ta rriste normën e interesit me qëllim që t’i dilte para rënies së valutës. “Turqia ka nevojë për kapital të huaj me qëllim që të mbajë në këmbë rritjen ekonomike të bazuar në konsum”, thotë Yalcin. “Por besimi i investitorëve është duke rënë. Kjo është bombë me sahat.”

“Nëna e të gjitha këqijave”

Sepse Banka Qendrore jo vetëm heziton për rritjen e normës së interesit. Presidenti Erdogan i bën presion shtesë mbikqyrësve të valutës që të ulin normën e interesit. Norma e lartë të interesit është “nëna e të gjitha këqjave”, tha ai të premten e kaluar. Në Bloomberg TV Erdogan këtë javë e përforcoi qëndrimin e tij. Nëse zgjidhet president ai do ta kontrollojë më fort Bankën Qendrore.

Tek një pjesë e votuesve presidenti prek nervin e duhur, sepse sigurisht firmat dhe familjet janë kundër rritjes së normës së interesit. Por jashtë vendit, Erdogan dërgon një sinjal jo të mirë. Lira turke ra sërish, gjë që sjell shumë probleme për koncernet e vendit. Ato janë në kredi në valutë të huaj. Rënia e kursit të lirës i shtrenjton edhe njëherë këto kredi, disa koncerne kjo madje i sjell në prag të falimentimit.

Aftësia kredituese

Edhe renditet e obligacioneve shtetërore janë rritur. Kjo do të thotë që investitorët nuk janë më të gatshëm t’i ofrojnë vendit para në kushtet e tanishme. Agjencia e vlerësimit në SHBA i dha Turqisë në maj notën “BB” për afësinë kredituese. Moody’s e zbriti Turqinë në mars në vlerësimet e saj.

Presidenti reagon, si shpesh me një goditje të shumanshme për të fituar pikë politike. “Spekulantët e devizave, lobi i normave të interesit dhe armiqtë e Turqisë nën mantelin e agjencive të vlerësimit nuk janë puna jonë”, u shpreh ai para përfaqësuesve nga ekonomia.

Largim i kapitalit?

Fjalë të forta të Erdoganit pa marrë parasysh pasojat. “Këtë herë mund vërtet të plasë keq”, thotë profesori Erdal Yalcin. “Nëse lira turke vazhdon të bjerë, kjo mund të çojë në të ashtuquajturën Fire Sale- shitje në nevojë- dhe ku kapitali i huaj largohet nga vendi brenda pak ditësh.”

E këtë Erdogani nuk mund ta ndalë dot as me kontrollin e kapitalit, thotë Yalcin. E vërteta ekonomike është që Turqia ndodhet para kohësh të vështira. “Do të kemi falimentime të familjeve dhe sipërmarrjeve, sepse politika e bazuar në borxhe nuk mund të funksionojë për një kohë të gjatë.”

Por pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale mbetet pyetja se si mund të përmirësohet gjendja. “Problemi kryesor është pasiguria”, thotë Yalcin. Investitorët po tremben gjithnjë e më shumë, edhe për shkak të marrëdhënieve të tensionuara me BE. Ata pyesin se ç’drejtim do të marrë Turqia nën një president gjithnjë e më autokrat. “Synoj anëtarësimin e plotë në BE”, ka thënë Erdogan në mars. Por BE reagoi ftohtë. “Turqia është larguar me hapa të mëdha nga BE”, thuhet në raportin e progresit të Komisionit Europian në prill 2017.

Artikulli paraprakPARASHIKIMI I MOTIT 20 MAJ 2018
Artikulli tjetërSEZONI TURISTIK, AKU SHKODËR NË AKSION