Disa fëmijë në Brazil luajnë sot në atë që mendohet të jetë fusha e parë e futbollit në botë që prodhon energji elektrike.

Fusha e merr energjinë nga lojtarët që vrapojnë mbi të dhe e kthen atë në elektricitet. Do t’ju njohim tani me një lagje të varfër të Rios, ku është realizuar ky projekt. Favela Morro da Mineira në Rio de Janeiro, është themeluar në vitin 1920 nga emigrantët. Dy pasionet braziliane, futbolli dhe karnavalet, janë këtu mjaft të respektuara. Fusha e futbollit ka qenë në qendër të komunitetit që nga fillimet e tij. Kjo është hapësira ku fëmijët shpenzojnë energjinë e tyre pas shkollës dhe në fundjavë. Në vitin 2011 tregtarët e drogës në këtë favelë u çarmatosën nga policia dhe në komunitet u vendos paqja. Kjo fushë u zgjodh mes shumë të tjerave në Rio për një eksperiment nga kompania holandeze Shell. Në qershor 2014 nga kjo hapësirë u hoq zifti dhe fusha u bë e re. Në zonën e penalltisë në të dy skajet e fushës u instaluan 200 pllaka për kapjen e energjisë të krijuara nga kompania britanike, Pavegen. Pllakat janë të lidhur me instalime elektrike dhe të pajisura me një sistem kullimi. U instaluan gjithashtu panele diellore për të gjeneruar energji shtesë në ditë me diell. Më pas e tërë fusha u mbulua me një shtresë bari artificial dhe u mbush nga poshtë me grimca gome për më shumë stabilitet. Një modul kontrolli rregullon energjinë e cila kalon pastaj në një sistem ndriçimi ose ruhet në bateri për përdorim të mëvonshëm. Fusha e re u përurua më 10 shtator 2014 me praninë e yllit të futbollit brazilian Pele dhe, që nga ajo kohë, është bërë e njohur për ndeshjet mes lagjeve që luhen aty. Menaxher i Projektit, Doug Gray, banor i Rios është vizitor i shpeshtë dhe e monitoron rregullisht sistemin. “Këtu janë 5 rreshta me nga 20 panele dhe po ashtu në anën tjetër. Normalisht ato nuk dallohen dot. Por mund ta kuptoni kur shkelni me këmbë mbi to,” shpjegon zoti Gray. Pllaka për gjenerimin e energjisë janë instaluar në një numër vendesh publike, por sipas firmave Pavegen dhe Shell kjo është përpjekja e parë për shfrytëzimin e energjisë së lojtarëve në një fushë futbolli. “Ajo që ne duam është që të frymëzojmë projekte për objekte të tjera, si metrotë apo rrugët. Ndoshta një ditë do të kemi energji të prodhuar nga ne vetë në një shkallë më të madhe,” thotë Simone Guimaraes, zëdhënëse e firmës Shell në Brazil. Është ora 7:00 e mbrëmjes në Rio dhe kudo po ndizen dritat. Lojtarët amatorë punojnë gjatë ditës dhe mund të luajnë vetëm natën. Sistemi Led i këtushëm siguron dritë të mjaftueshme për një ndeshje gjatë natës. Luiz Henrique Rodrigues, organizator i kampionatit “Njerëzit e komunitetit nuk kanë probleme me ndriçimin. Më parë e kishim të vështirë të luanim natën sepse shpesh na fikeshin dritat. Për ne është një përmirësim”, thotë Luiz Henrique Rodrigues, një nga organizatorët e kampionatit. “Futbolli ndihmon për t’i mbajtur fëmijët larg nga jeta e krimit,” thotë Paulo Luz, një ish-tregtar droge. Gjatë gjithë ditës, të shtunave dhe të dielave lojtarët prodhojnë energji kinetike me këmbët e tyre, e cila kthehet në elektricitet që furnizon bateritë për t’u përdorur gjatë javës.