Bregdeti i Shëngjinit vazhdon të mbetet një destinacion i kërkuar edhe këtë sezon veror. Për vizitorët dhe pushuesit e shumtë, qëndrimi në këtë plazh është i veçantë, për shkak edhe të pastërtisë dhe sigurisë që ofron ky bregdet.

Shëngjini mbetet ndër më të preferuarit edhe për çmimet që afrohen. Pushuesit thonë se ato janë të pranueshme, ndërsa shpjegojnë se nuk mund të ketë çmime më lira në një zonë turistike.

Kushtet e disfavorshme të motit këtë vit, nuk i kanë ndalur turistët dhe pushuesit të mbushin plazhet, edhe pse shirat e vazhdueshëm kanë bërë që pushuesit të hezitojnë lëvizjen drejt bregdetit.

Sipas kreut të Njësisë Administrative të Shëngjinit, Gjok Caci, pushuesit nuk janë reduktuar, por ata janë shpërndarë në zonë, si dhe ka rritje të strukturave akomoduese.

Ai vëren së këtë vit ka rritje të turistëve të huaj, ndërsa është i bindur se gjatë muajit gusht vizitorët dhe turistët do të shtohen sërish.

Shëngjini dalëngadalë po ndryshon edhe fizionominë e tij. Rritja e numrit të të rinjve që e frekuentojnë këtë plazh ka bërë që edhe jeta e natës të ndryshojë.

Ashtu si të rinjtë, edhe artistët po e shfrytëzojnë mbrëmjen, por për të realizuar artin e tyre, kryesisht në pikturë. E të shumtë janë ato pushues që preferojnë të bëjnë një portret si kujtim i pushimeve të këtij viti.

Kërkesa për të kaluar pushimet në Shëngjin rritet nga viti në vit, Plazhet e Kunës, Qendrës së qytetit dhe për të vijuar drejt Ranës së Hedhun, janë një mundësi e mirë, që po shfrytëzohen maksimalisht nga ata që tashmë e kanë njohur dhe e duan Shëngjinin.