Një bunker i ndërtuar rreth vitit 1985 në lagjen “Xhabiej” në Shkodër është bërë shkak që të ndërpriten punimet në një lulishte në të cilën bashkia Shkodër sapo kishte zbatimin e një projekti.

Punëtorët e firmës që po kryejnë punimet sapo kanë nisur të gërmojnë për të sheshuar bunkerin e vjetër kanë hasur në 3 granata dore dhe disa fishekë armësh zjarri. Menjëherë punimet janë ndërprerë dhe firma ka njoftuar bashkinë Shkodër. Fillimisht kanë ardhur 3 xhenierë të ushtrisë por nuk kanë mundur të bëjnë asnjë ndërhyrje sepse kanë kërkuar kohë për të parë përmes paisjeve se çfarë ka brenda dhe për t’i çmontuar më pas municionet. Kështu një ditë më parë forcat xheniere të ushtrisë kanë mbërritur për të dytën herë për të parë se çfarë surprizash i presin tek ky bunker. Pasi kanë hapur hyrjen kryesore në vetëm pak minuta janë zmbrapsur duke e mbyllur sërish. Nga sa mësohet nuk kanë qenë të sigurtë për të ndërhyrë ndaj janë larguar për të ardhur edhe një herë tjetër por këtë radhë më të përgatitur dhe me më shumë forca. Banorët aty pranë thonë se pas viteve ’90 e kryesisht gjatë rrëmujave të 1997 në bunker persona të ndryshëm kanë hedhur armë, granata por edhe municione të tjera. Bunkeri gjithë këto vite ka qëndruar në këtë situatë, plot me municione. Edhe pse informacionet kanë qenë prezente për gjendjen askush nuk ka ndërhyrë për t’i çmontuar dhe për të larguar rrezikun duke qenë se bunkeri ndodhet në mes të një prej lagjeve me popullsi të madhe. Shpesh herë bunkeri është kthyer në një vend loje për fëmijët dhe prindërit kanë qëndruar me frikë. Tashmë është dashur nisja e punimeve të projektit që të bëhet e mundur evidentimi i municioneve. 

Artikulli paraprakPOLICIA E SHKODRËS SEKUESTRON 11.4 KG DROGË
Artikulli tjetërSHQIPËRI-MALI ZI, PROJEKTE PËR PIKA TË REJA KUFITARE