Gjykata e Shkodrës ka dhënë burg për jetë për Miklovan Parubin, 33 vjeçarin e akuzuar për vrasje të dyfishtë dhe plagosjen katër të tjerë në fshatin Dajç dy vite më parë. Të njëjtin dënim kishte kërkuar edhe organi i akuzës.

Ndërkohë për Marçel Shpijatin, po ashtu të përfshirë në ngjarje, trupa gjykuese vendosi dënimin me 3 vjet burg nga 20 që kishtë kërkuar Prokuroria.

Ngjarja e rëndë ndodhi pas një loje pokeri pjesë e të cilës ishte edhe vetë autori.Viktima të ngjarjes mbeten Arjet Saiti, 42 vjeç dhe Gacalin Kopshtin, 30 vjeç. Ndërsa të plagosur Ndok Markut, Vinçens Kopshtit, Aleks Prendit dhe Kitas Mollës.

Këta të fundit, ishin dëshmitarë në proces krahas provave të tjera të prokurorisë mes të cilave edhe pamjet e kamerave të sigurisë të ambientit ku u shënua ngjarja.

Bashkëpunëtor në krim sipas akuzës kishte edhe Marçel Shpijati, i cili pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë, ndaj organi i akuzës kërkoi për të 20 vjet burg.

Ngjarja u shënua rreth orës 22: 40 të mbrëmjes së të hënës 3 tetor 2016 ku Miklovan Parubi qëlloi me kallashnikov në një lokal duke shkaktuar dy të vdekur dhe 4 të plagosur pas një konflikti që mendohet se ka nisur gjatë lojës mes autorit dhe një prej shokëve të tij Ndok Marku.

Në gjaknxehtësi e sipër Miklovani ka dalë nga lokali dhe është larguar për në drejtim të shtëpisë ku edhe ka marrë armën e krimit tip kallashnikov.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, Parubi që njihej si përdorues droge dhe me probleme të forta emocionale dhe në çastin e krimit kishte konsumuar edhe një sasi të kosniderueshme alkooli.

Plumbat e breshërisë së kallashnikovit rezultuan fatal për Arjet Saitin, 42 vjeç i cili kishte pak kohë që kishte marrë me qera lokalin ku ndodhi masakra, Gacalin Kopshtin, 30 vjeç duke i lënë të vdekur në vend.

Katër shtetasit e tjerë, Ndok Marku, Vinçens Kopshti (vëllai i viktimës Gacalin Kopshti), Aleks Prendi dhe Kitas Molla, të moshës 35, 22 ,42 dhe 26 vjeç, mbetën të plagosur dhe u dërguan me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës.

Pas ndërhyrjes kirurgjikale, mjekët bënë me dije se ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa plumbat i kanë prekur në pjesët e poshtme të trupit.