Me të marrë plotfuqishmërinë nga presidenti Ilir Meta, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, nuk humb kohë.

Brenda pak ditësh apo javësh pritet të jetë dhe raundi i parë i bisedimeve teknike me palën greke. E bëri të ditur ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati në një prononcim për median.

Ditmir Bushati: “Pa humbur kohë do të procedojmë me plotfuqishmërinë. Shpresojmë shumë që për pak ditë apo javë ne të bëjmë raundin e parë të diskutimeve teknike me palën greke, bazuar mbi një proces pune voluminoz dhe parapërgatitore që ka ndodhur gjatë 4 viteve.”

Bushati tha se ndërveprimi me presidentin ka ndihmuar që grupi negociator tashmë të ketë një material të mirë shtesë orientues

Ditmir Bushati: “Ne kemi pasur konsultime, ndërprevime me presidentin e Republikës dhe institucionet e tjera për të gjitha cështjet që presidenti ka shtruar. Tani ka një material shtesë dhe voluminoz dhe falë këtij ndër veprimi që është një material orientues për grupin negociator.”

Bushati përsëriti gjithashtu se qeveria është e vendosur për të arritur një marrëveshje të drejtë dhe mbi të gjitha të zbatueshme

Ditmir Bushati: “Jemi shumë të vendosur për të shkuar drejt një marrëveshjeje sa më të drejtë e të ndershme për të mos përsëritur asnjë nga gabimet e 2009 dhe për të respektuar normat ndërkombëtare të cilat janë të aplikueshme dhe të detyrueshme për Shqipërinë dhe Greqinë, vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, legjislacionin e brendshëm shqiptar.

Jemi të motivuar për të shkuar drejt një marrëveshje e cila do të jetë e drejtë e ndershme dhe më e mirë, nuk diskutohet, se ajo e 2009 dhe në fund të ditës urojmë që të kemi një marrëveshje që do të jetë e zbatueshme për të dyja palët.”

Po sot Presidenti, Ilir Meta, në reagimin e tij të parë mbi dhënien e plotfuqishmërisë për bisedimet me Greqinë i ka konsideruar konstruktive diskutimet me Ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati.

Megjithatë ai nënvizon se pret që rezultati nga negociatat të jetë solid.Në listën e negociatorëve të paraqitur prej Ministrit Bushati nuk ka pasur ndryshime, por emrave u është shtuar dhe Ksenofon Krisafi, një nga negociatorët e marrëveshjes së detit me Italinë.

Nga ana tjetër media greket shkruajnë se firma e Metës i hap rrugën arritjes së marrëveshjes dy palëshe.Por nuk mungojnë as analizat ku paraqitet ndikimi i Turqisë.Gjithsesi Athina zyrtare nuk ka bërë ende asnjë koment per vendimin e Presidentit.

Artikulli paraprakSHKODRA NË PRAG TË EMERGJENCËS
Artikulli tjetërKAPET NE ITALI NJË SHQIPTAR I RREZIKSHËM