Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati vijoi turin në Pukë në kuadër të shpërndarjes së librave shkollorë falas për nxënësit e shkollave të ciklit të ulët dhe për fëmijët e familjeve në nevojë.

Bushati i shoqëruar nga kreu i bashkisë Pukë, Gjon Gjonaj, drejtori i arsimit Nikolin Prenga dhe autoritete të tjera lokale gjatë qëndrimit në Pukë, ndaloi në familjen e Bashkim Xheladinit dhe atë të Xhavit Llukës.

Kryefamiljarët e falënderuan Bushatin për mbështetjen, duke e konsideruar këtë një ndihmesë të madhe, për shkak të pamundësive ekonomike.

Drejtuesit e Arsimit në Pukë i bënë të ditur ministrit Bushati se në zonën e Pukës 80% e nxënësve përfitojnë nga lehtësia e krijuar nga qeveria për shpërndarjen e librave falas.

Më tej, ministri Bushati zhvilloi një vizitë edhe në shkollën e mesme “Sabah Sinani” të qytetit të Pukës, ku shikoi klasat e bëra gati për fillimin e vitit shkollor, ndërkohë që kreu i bashkisë kërkoi që shkollat të përfshiheshin ndër projektet pilote.

Ministri i Jashtëm u uroi mësuesve suksese në vitin e ri shkollor dhe përmes tyre uroi dhe të gjithë nxënësit e shkollave të Pukës