PRITET QË NË DITËT NË VIJIM TË GJENDET NJË ZGJIDHJE PËR TA MBROJTUR. By Pass-i i Shkodrës, projekt i dështuar pa nisur mirë duket se mund të ketë një zgjidhje për ta ruajtur nga dëmtimi e shkatërrimi i përditshëm që po i bëhet në shumë pjesë të tij. Këto ditë dy drejtuesit vendor të Shkodrës, Lorenc Luka kryetar i Bashkisë dhe Paulin Radovani, prefekt i qarkut Shkodër kanë thyer akullin politik dhe janë ulur sëbashku për të diskutuar në lidhje me problematikën e madhe të By Pass-it.

Burime pranë dy drejtuesve bëjnë me dije se ka patur një bisedë të gjatë mes tyre dhe deri dikund miqësore për të gjetur një zgjidhje përfundimtare për By Pass-in e Shkodrës. Që nga momenti kur ky projekt u la në mes ende pa filluar mirë, në të gjithë gjatësinë e tij janë hedhur mbeturina e materiale inerte pa kriter, duke e ndotur e duke shkaktuar një dëm të madh mjedisor. Deri më sot, përveçse institucionet kanë kaluar fajin sa nga një anë në tjetrën, askush nuk ka marrë përsipër përgjegjësitë që i takojnë për ta mbrojtur By Pass-in e Shkodrës nga hedhja e konsiderueshme e papastërtive. Ky takim i kryebashkiakut Luka e prefektit Radovani nuk do të mbetet me kaq. Burime pranë tyre mësohet se shumë shpejt do të zhvillohet një takim edhe në Tiranë. Pritet që ministri i infrastrukturës Edmond Haxhinasto të ulë në një tryezë të përbashkët të gjithë aktorët që kanë përgjegjësi ligjore, por edhe morale për të biseduar dhe më pas për të konkretizuar se cili mund të jetë vendimi më i mirë për By Pass-in e Shkodrës. Prej kohësh drejtuesit vendor kanë deklaruar se në vitin 2015 do të ketë një zgjidhje për By Pass-in. Pas takimeve që do të zhvillohen duhet të presim nëse vërtetë do të arrihet që By Pass-i i Shkodrës të mbrohet nga shkatërrimi i deri tanishëm. Edhe më parë janë zhvilluar takime të ndryshme por nuk është arritur që By Pass-i të ruhet nga ndotja masive.

[iframe width=”300″ height=”510″ src=”//www.youtube.com/embed/0OQv_iflSoM?list=UU0aBDfsVqdL53NOE5eMXAUw” frameborder=”0″ allowfullscreen ]