Gjatë pjesëmarrjes në punimet e sesionit të 74 të Asamblesë së Përgjithshme, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, u takua me Nën-Sekretaren e Përgjithshme për Çështjet Politike dhe Paqendërtuese të OKB-së, Rosemary DiCarlo.

Në statusin e tij në facebook, Ministri në Detyrë Cakaj u shpreh se ky takim u fokusua në tre çështje kryesore: Mbështetja e Shqipërisë për rritjen e efektivitetit të operacioneve paqeruajtëse, të ndërmarra nga organizata dhe përpjekjet e vazhdueshme për forcimin e “Fondit për Ndërtimin e Paqes”,

nevoja për anëtarësim të Republikës së Kosovës në OKB dhe njohjen e pavarësisë së saj prej të gjitha vendeve anëtare, si dhe kandidatura e Shqipërisë për vendin e anëtarit jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit për vitin 2022-2023.

“Shqipëria do të jetë gjithmonë një partner i besueshëm e faktor konstruktiv në marrëdhënie dypalëshe e organizata shumëpalëshe në përgjithësi!”- theksoi në përfundim Cakaj.