Kryetarja e deritanishme e Partisë Kristiandemokrate CDU Angela Merkel, u largua nga ky post, pas 18 vitesh, me një fjalim, i cili u përcoll me brohoritje dhe duartrokitje frenetike.

“Ka qenë një nder i madh, një kënaqësi e madhe”. Me këto fjalë Merkel përfundoi fjalimin 35 minutësh, për herë të fundit si kryetare e CDU-së. Merkel bëri një rishikim të kohës në krye të partisë, duke theksuar sukseset por edhe dështimet në faza të ndryshme.

Kancelarja tha se tani ka ardhur koha “për një kapitull të ri”, dhe ftoi partinë e saj që të mbetet e bashkuar.

Ndarja me lot dhe duartrokitje
Pas fjalimit ajo u përshëndet me një duartrokitje të gjatë prej gati 10 minutash. 1001 delegatët e mbledhur në Hamburg u ngritën në këmbë, shumë prej tyre mbanin pankarta me mbishkrimin: “Faleminderit shefe”.

Nuk mungonin as lotët tek shumë delegatë. Ndërsa Merkel gjatë fjalimit ishte shumë personale dhe e prekur nga duartrokitjet e gjata, të cilat e ndërprenë shpesh fjalimin e saj. 64-vjeçarja Angela Merkel largohet nga posti i kryetares së partisë CDU pas plot 18 vitesh. Por ajo vazhdon të mbetet kancelare e Gjermanisë.

Me fjalë të mira për udhëheqjen e kancelares në periudhën e kaluar folën të gjithë ata që morën fjalën para saj, por edhe pas saj. Ndonëse edhe vet Merkel e kishte të qartë se gjatë kësaj kohe ka pasur edhe ngjarje aspak të lehta. “Se ku na çojnë grindjet mes nesh, këtë më së miri e kanë kuptuar CDU dhe CSU vitet e fundit”, tha Merkel, e cila bëri thirrje që këto parti si motra të vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë mes tyre.

Annegret Kramp-Karrenbauer u zgjodh kryetare e re CDU-së
Annegret Kramp-Karrenbauer është kryetare e re CDU-së. Ajo mori 51 përqind të votave në kongresin e Hamburgut të CDU-së. Para votimit ajo i tha delegatëve se ajo ka personalitetin e vet dhe nuk është një “mini Merkel”.

Në fjalën e saj pas zgjedhjes, Annegret Kramp-Karrenbauer pranoi e emocionuar fitoren me diferencë të vogël votash. Në raundin e dytë të zgjedhjeve, ajo mori 517 vota, kurse konkurenti i saj Friedrich Merz mori 482 vota. Jens Spahn u eleminua në raundin e parë të votimit.

Annegret Kramp-Karrenbauer ishte shprehur më parë se në rast fitoreje si kryetare ajo do të mbështeste qëndrimin në post të kancelares Merkel deri në fund të mandatit të saj në vitin 2021.

Duke iu drejtuar delegatëve në krye të votimit, Kramp-Karrenbauer foli për perceptimin që ajo është një “mini-Merkel”. “Njerëzit më konsiderojnë një kopje, më shumë nga e njëjta gjë, por unë mund t’ju them se qëndroj këtu me personin tim, si vetja ime.”

56 vjeçarja Kramp-Karrenbauer ishte kandidatja e preferuar e Kancelares Angela Merkel. Më parë ajo ka qenë kryeministre e suksesshme në landin e vogël të Zarës, ku drejtoi një koalicion tripartiak. Ajo ka reputacionin se është e aftë të bashkojë pozicione të ndryshme brenda CDU-së dhe një talent për aleanca me parti të tjera.

Friedrich Merz dhe Jens Spahn, dy konkurrentët e uruan fituesen dhe i premtuan bashkëpunim në forumet e partisë.

Artikulli paraprakUNAZA E RE, BANORËT PROTESTË, MARSHOJNË DREJT KANTIERIT TË FIRMËS PRIVATE
Artikulli tjetërAMBASADA E SHBA: JAVËN E ARDHSHME PRESIM FORMIMIN E KLP DHE KLGJ, KOHA PËR DREJTËSINË E VËRTETË