Njësia Administrative Ana e Malit edhe këtë vit është e rrezikuar nga përmbytjet nëse qeveria nuk ndërhyn në realizimin e investimeve afatgjatë në këtë zonë.

Administratori Arben Ceni tregon se janë marrë masat paraprake ku është ndërhyrë nga bashkia Shkodër në pastrimin e kanaleve të dyta e të treta.

Por kjo ndërhyrje nuk është e mjaftueshme pasi për të minimizuar përmbytjet kërkohet pastrimi i kanaleve të para dhe si emergjent është kanali ndërkufitar mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Për këtë kërkohet ndërhyrja e qeverisë tregon Ceni pasi kanalet e para janë në kompetencën e saj.

Punimet në Anën e Malit kanë nisur me 21 maj dhe kanë përfunduar me 16 korrik të këtij viti. Gjatë kësaj periudhe është ndërhyrë gjithsej në 17 kanale nga të cilët 2 të dytë dhe 15 të tretë.

Në total, gjatësia lineare e kanaleve të pastruara është afro 11 kilometër, volumi i pastrimit mbi 10 mijë metër kub.

Pas kësaj ndërhyrje është përmirësuar kullimi në një sipërfaqe prej 488 hektarë, ku përfitojnë rreth 335 familje me aktivitet kryesor bujqësinë.

Artikulli paraprakBARDHAJ-QAFË RRENC, DREJT PËRFUNDIMIT FAZA E PARË
Artikulli tjetërMILOT, TREGU I GJËSË SË GJALLË NË KUSHTE SKANDALOZE