Familjarë, miq, kolegë u mblodhën në ceremoninë përkujtimore në nder të senatorit John McCain. Mes të pranishmëve në ceremoni ishte edhe nëna 106-vjeçare e tij, Roberta McCain.

Me karrige me rrota, ajo u afrua pranë arkivolit të të birit. Senatori John McCain, i cili shërbeu gjashtë mandate radhazi në Senatin amerikan dhe kandidoi dy herë për president vdiq të shtunën në moshën 81 vjeçare, pas një beteje të gjatë me kancerin në tru.

Pas homazheve të ditës së premte në Capitol, ceremonitë vazhdojnë të shtunën në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit, ku do të flasin edhe ish-presidentët Barack Obama dhe George W. Bush.

Ai përfaqësoi shtetin e Arizonës në Senat dhe u bë i njohur si një luftëtar i së drejtës, pa marrë parasysh se cilin krah politik përfaqësonte ajo.
Senatori John McCain ka lënë edhe një letër lamtumire për bashkëkombasit e tij.

“Jetova dhe u largova nga jeta si një amerikan krenar,” shkruan McCain. “Ne e dobësojmë madhështinë tonë kur ngatërrojmë patriotizmin tonë me rivalitetet klanore që kanë mbjellë armiqësi, urrejtje dhe dhunë në të gjitha anët e globit.

Ne e dobësojmë atë kur fshihemi prapa mureve, në vend që t’i rrëzojmë ato, kur dyshojmë në fuqinë e idealeve tona, në vend që t’u besojmë atyre si forcë e madhe për ndryshim, ashtu siç kanë qenë gjithmonë,” thuhet në letër.

Muajt e fundit, ai ka qenë një kritik i ashpër i Presidentit Trump për çështje të ndryshme.

Ai thoshte se e shihte Presidentin Trump dhe ideologjinë e tij Amerika e Para si një largim nga vlerat dhe tradita e udhëheqjes globale që ai mendonte se mishërojnë Shtetet e Bashkuara.