Ceremonia zyrtare u mbajt në Departamentin Amerikan të Shtetit ku kryeministri malazez Dushko Markoviç, dorëzoi zyrtarisht të ashtuquajturin instrument të pranimit me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Markoviç: “Anëtarësimi në NATO do të thotë stabilitet të vazhdueshëm për ne, me vlerat demokratike evroatlantike të ngulitura në shoqëri dhe ekonomi, që kanë për qëllim prosperitetin e mëtejshëm”. Anëtarësimi i vendit prej 600 mijë banorësh në Aleancën Ushtarake shënon një kthesë historike që e ka zemëruar Kremlinin, i cili e sheh Malin e Zi si një zonë të veçantë interesi. Ndaj për Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, kjo ka efekt direkt në ruatjen e paqes ndërkombëtare.

Stoltenberg: “Mali i Zi i bashkohet NATO-s, duke pasur në këtë organizatë vendin e tij si shtet i barabartë dhe që me zërin e tij do të ndihmojë për t’i dhënë formë Aleancës”. Nënsekretari amerikan i Shtetit për Çështje Politike, Thomas Shannon, tha se Mali i Zi kishte shpallur “të drejtën për të zgjedhur hapur aleancat e veta, edhe në kushtet e ballafaqimit me presion të jashtëm të orkestruar”. Mali i Zi është shteti i parë që i bashkohet NATO-s prej vitit 2009, kohë kur Aleancës iu bashkuan Shqipëria dhe Kroacia. Ceremonia e flamurit do të mbahet më 7 qershor në selinë e Aleancës.

Artikulli paraprakMBLIDHET QEVERIA ZAEV, ZYRTARIZOHEN DY ZV/KRYEMINISTRAT SHQIPTARË
Artikulli tjetërSHTYPI BRITANIK, JEHONË HEROIZMIT TË 4 SHQIPTARËVE GJATË SULMEVE TERRORISTE