Ardjana Shaholli, 40-vjeçarja që vdiq pasi u vra nga bashkëshorti i saj është përcjellë për në banesën e fundit vetëm nga tre fëmijët e saj më të mëdhenj, djali 18-vjeçar dhe dy vajzat 15 e 14 vjeçe.

Të afërmit e viktimës,  konfirmojnë se tre fëmijët e tjerë të Ardjanës, më i vogli 8-vjeç ishin nisur në një kamp veror pushimi me një nga shoqatat që ndihmonte familjen nga Durrësi, të skeduar prej kohësh si familje me probleme të theksuara ekonomike e sociale.

‘Lotët e dy vajzave nuk pushonin’, thonë dëshmitarët. E kishin të vështirë të shkëputeshin nga nëna e tyre që i kish rritur me mundime, ishte kujdesur që të shkonin në shkollë, pavarësisht se prej vitesh ishte përballur me dhunën e një burri xheloz që nuk e lejonte të shihte dritën e diellit.

Tani që djali i madh ishte rritur, Ardjana kish lënë pas krahëve frikën dhe kish marrë guximin të dilte në punë.

Prej një muaji ishte punësuar në një lavanderi në qytetin e Durrësit, por kjo siç thonë të afërmit e ka përkeqësuar më shumë raportin me të shoqin.

Pavarësisht se e kish denoncuar disa herë, Çlirim Shaholli shoqërohej e lihej i lirë nga policia që të vazhdonte avazin e vjetër.

‘Ishte Ana ajo që ka bërë të pamundurën që familja të mbetej e bashkuar’,- thotë njëri prej të afërmve.

Por pyetja dhe brenga më e madhe e gjithë të afërmve është fati i gjashtë fëmijëve të viktimës. ‘Ata edhe me nënë e babë ishin ku thërret qameti, po tani si do vetë halli i tyre’,- shprehen ata.

Çlirim Shaholli e çoi me duar e tija në urgjencë bashkëshorten e plagosur. Mjekët vunë re një hematomë në kokë, ndërsa gruaja nuk mundi të dilte e gjallë nga salla e operacionit.
Pas shoqërimit në polici burri pranoi që ishin zënë. Ai e kishte shtyrë dhe ajo kish përplasur kokën në dysheme.

‘Nuk doja ta vrisja, si mund të lija jetim fëmijët e mi’,- mësohet të ketë thënë ai në polici.

Artikulli paraprakU NIS NGA VLORA, ITALIANËT KAPIN 2.5 TON KANABIS
Artikulli tjetërAKSIDENT NË HYRJE TË QYTETIT,SHKAK RRUGA E DEMTUAR