Klubi i Skënderbeut, lojtarët, tifozët janë në përgatitjet e fundit për sfidën e shumë pritur përballë Dinamo Zagreb, e vlefshme për fazën “play-off” në Champions League. Interesimi për këtë përballje është shumë i madh, aq sa kjo sfidë të krijon përshtypjen, që në “Elbasan Arena” pritet të zbarkojë Kombëtarja. Skënderbeu tashmë është një realitet, më i bukuri i futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare, dhe të gjithë shpresojnë që aventura e tyre të mos ndalet përballë kroatëve.

Tashmë, Skënderbeu nuk identifikohet vetëm me qytetin e Korçës, por një skuadër e cila përfaqëson denjësisht futbollin tonë në vitrinën më të famshme të futbollit evropian, Uefa Champions League. Për të kuptuar këtë trend mjafton të shohësh interesimin për të parë live këtë sfidë në “Elbasan Arena”. Mbi 10 mijë bileta janë shituar tashmë, një interesim kaq i madh nuk mund ti shpëtonte “tregut të zi”, një situatë e cila ka sjelle dhe reagimin e tifozëve, ku të gjesh një biletë aty ku dëshiron është thuajse e pamundur.Ky nuk është problemi i vetëm për organizatorët e kësaj sfide. “Bad Blue Boys”, ultrasit e skuadrës së Dinamos kanë njoftuar se do të jenë të pranishëm në “Elbasan Arena”. Fama e tyre është e njohur ndërkombëtarisht, huliganë që shkaktojnë trazira kudo që shkelin. Përtej këtyre detajeve, pjesa tjetër e sfidës Skënderbeu-Dinamo Zagreb është një sfidë prestigji, një sfidë e artë për kampionët e futbollit shqiptar. Trajneri Mirel Josa dhe të gjithë lojtarët janë gati të luajnë aktin e tyre të parë në arenën më të famshme të futbollit europion.

PUBLICITET