TË MËDHATË SYNOJNË KUALIFIKIMIN E METEJSHËM.Ndeshjet e së mërkurës në Champions League mund të përfundojnë pa shumë surpriza, duke i dhënë nga një biletë kualifikuese për në raundin e 1/8-ave edhe 5 ekipeve të tjera, veç Realit dhe Dortmundit që kaluan për më tej gjatë së martës. 

Bayern Munich, Paris St Germain, Barcelona, Chelsea dhe Porto janë të gjitha ekipe që synojnë kualifikimin nga faza e grupeve dy ndeshje përpara fundit të kësaj faze.Pasi kanë fituar 3 takimet e para, gjigantët e Gjermanisë kanë të nevojshme minimalisht 1 barazim për të siguruar kualifikimin, ndërsa PSG-ja duhet të mposhtë APOEL-in dhe të shpresojë te që Ajaksi të mos arrijë një fitore surprizë ndaj Barcelonës. Katalanasit do të kalojnë për më tej nëse mposhtin holandezët në Amsterdam, shoqëruar me mos arritjen e ndonjë surprize nga ana e qipriotëve në “Parc des Princes”.Situata është e ngjashme edhe për Chelsea dhe Porto, që do të avancojnë përpara nëse fitojnë ndeshjet e tyre respektive në Maribor dhe Bilbao, por shoqëruar edhe me fitoret e Schalke dhe Shakhtar kundër Sportingut dhe BATE Borisovit.Ndeshja e ditës është padyshim Ajaks-Barcelona, duke qenë se momenti mbresëlënës i katalanasve në fillimsezoni ka hasur dy pengesa të njëpasnjëshme në javët e fundit të kampionatit, me vetëm 1 pikë të grumbulluar në 3 takimet e fundit. Aktivizimi i Luis Suarezit në sulmin e “blaugranave” nuk ka rezultuar aq efektiv sa shpresohej, duke detyruar vijën e sulmit të përbërë edhe nga Neymar e Leo Messi të ndryshojnë sistemin e lojës.Të besuarit e Luis Enriques kanë edhe probleme në prapavijë, ku Pique është disi larg formës së tij më të mirë, ndërkohë që mesfusha ndjen mungesën e fokusit për sa kohë që mungon Xavi për të “orkestruar” siç duhet gjërat. Takimi i Amsterdamit do të vërë përballë edhe Frank de Boer dhe Enriquen, dy njohje të vjetra si lojtarë dhe si trajnerë.