HASI MPOSHT TURQIT, REALI MJAFTOHET ME GOLIN E RONALDOS.Kanë përfunduar ndeshjet e mbrëmjes së dytë të Champions League, ku në takimet e pesta në grupet e mbetura janë disa skuadra që sigurojnë kualifikimin. Në grupin D janë përcaktuar tre skuadrat që vazhdojnë në kupat e Europës. Arsenali fitoi 2-0 ndaj Dortmundit dhe së bashku me gjermanët kalojnë në fazën e 1/8-ave. Sanogo që në minutën e dytë dhe Sanchez në 45 minutat e dyta i mjaftuan skuadrës së Venger që të ngjitet në kuotën e 10 pikëve, dy më pak se Dortmundi që udhëheq.

Ndërkohë skuadra e Besnik Hasit, me fitoren 2-0 ndaj Gallatasarait, siguron kalimin për në Europa League, pasi mbetet në vendin e tretë e parrezikuar, duke eliminuar që nga kjo fazë skuadrën turke.Në grupin B, Reali i Madridit mori fitoren e pestë në po kaq ndeshje, por këtë herë minimalisht, vetëm 1-0 përball modestëve të Bazelit. Ronaldo është autori i golit të vetëm për madrilenët, ndërkohë që edhe pse janë mundur, zviceranët kanë ende shanse për kualifikim, madje janë në vendin e dytë në grup me 5 pikë, një më tepër se Liverpuli, i cili befason sërish.Redsat kanë barazuar 2-2 vetëm 2 minuta përpara përfundimit të takimit. Abalo shënon për Ludogorets që në fillim të takimit, por britanikët përmbysin gjithçka me Lambert dhe Hederson. Gjithësesi avantazhi i tyre zgjati deri në minutën e 88, kur Terziev barazon shifrat dhe me këtë barazim edhe Ludogorets ka 4 pikë dhe së bashku me Liverpulin dhe Bazelin janë në lojë për vendin e dytë dhe të tretë që të çon në Europa League.Atletiko Madridit ka shkatërruar 4-0 grekët e Olimpiakosit, një gol i Garsias dhe më pas 3 të Mandzukic vulosin këtë fitore që vlen sa kualifikimi si kokë grupi për në fazën tjetër.Edhe Juventusi, falë fitore 0-2 ndaj Malmos, ka siguruar një vend për në Europë, megjithatë do të ndajë gjithçka me grekët e Olimpiakosit në ndeshjet e fundit. Skuadra e Alegrit në ndeshjen e fundit luan me Atletikon e Madridit ku do t’i mjaftojë një barazim të dyjave për të kaluar të pashqetësuara, ndërsa Olimpiakosit shpreson në fitoren ndaj Malmos për të parë se çfarë ndodh me takimin tjetër, nga i cili vendoset nëse grekët ngjiten në vendin e dytë apo të tretë që i kalon në Europa League.Edhe grupi C mbetet i hapur me humbjen e Leverkusenit ndaj Monakos 0-1, që ngjesh këto dy skuadra në vendin e parë dhe të dytë me një distancë vetëm 1 pikë. Ndërkohë Zeniti me fitoren 1-0 ndaj Benfikës, futet në lojë për të luajtur në ndeshjen e fundit shansin e tij për një kualifikim të mëtejshëm në Champions League me Monakon.