REALI E DORTMUND KALOJNË  NË 1/8-AT .Edhe pse me vështirësi Juventusi arriti të mposht grekët e Olimpiakosit në fushën e tij me rezultat 3-2, duke hedhur një hap të rëndësishëm për kalimin e grupit në Champions League. Të besuarit e Massimiliano Allegri-t e nisën mirë ndeshjen, duke kaluar në avantazh me anë të Andreal Pirlos në minutën e 21-të, por vetëm 3 minuta më pas Alberto Botia barazoi shifrat për Olimpiakosin, pjesa e parë do të mbyllej me këtë rezultat.

Menjëherë me nisjen e pjesës së dytë italianët ishin më kërkues, por në minutë e 61-të të pranishmit në “Juventus Stadium” u befasuan dhe në ato momente ishin jashtë Champions, pasi  Delvin Ndinga e çoi rezultatin në 1-2. Për të rikthyer baraspeshën menduan sërish lojtarët e Olimpiakosit, të cilët këtë herë shënuan në portën e tyre në të 65-tën, vetëm 1 minutë më pas francezi Paul Pogba shënon edhe golin e tretë dhe të përmbysjes për Juventusin. Në minutat e mbetura Olimpiakosi nuk arriti të shënonte sërish. Në fund të ndeshjes, të zotët e shtëpisë humbën edhe një 11-metërsh me anë të Vidal. Me këtë fitore Juventusi shkon në kuotën e 6 pikëve, po aq sa edhe Olimpiakosi, ndërsa grupi udhëhiqet me 9 pikë nga kampionët e Spanjës, Atletiko Madrid, të cilët arritën të fitojnë 0-2 në Malmoe.  Me 12 pikë të plota, Reali i Madridit dhe Dortmundi janë dy ekipet e para që kalojnë në fazën tjetër të Champions League. Në grupin B, Reali arriti të fitojë sërish ndaj Liverpulit, këtë herë 1-0 me një gol të Benzema. Lojtari i kombëtares shqiptare, Shkëlzen Gashi ishte një prej protagonistëve, duke realizuar edhe një gol, në fitoren e thellë që Bazeli arriti në fushën e tij ndaj Ludogorets me rezultatin 4-0, duke u ngjitur në vendin e dytë me 6 pikë. Turqit e Gallatasarait u treguan sërish të pafuqishëm ndaj Dortmundit pasi u mundur 4-1. Në këtë grup surprizën e bëri Anderlehti i drejtuar nga Besnik Hasi, i cili arriti një barazim 3-3 në “Emirates Stadium” ndaj Arsenalit vendas, i cili gjithsesi renditet pas gjermanëve me 7 pikë. Mbrëmjen e së martës u luajtën edhe ndeshjet e grupit C, ku Leverkusen fitoi në Rusi ndaj Zenitit dhe Benfika mposhti 1-0 Monakon. Ky grup udhëhiqet nga Leverkusen me 9 pikë, ndërsa e dyta është Monako me 5 pikë.